UEJL inauguron rektorin e ri, Prof. Dr. Sadudin Ibraimi

Në Universitetin e Evropës Juglindore u zhvillua ceremonia solemne e inaugurimit të rektorit të ri, Prof. Dr. Sadudin Ibraimi, në prani të përfaqësuesve të korit diplomatik, rektorëve nga vendi, Shqipëria e Kosova, personaliteteve të jetës publike, biznesit, stafit akademik, studentëve dhe familjarëve.
Kryetari i Bordit të UEJL-së, Prof. Dr. Klaus Tochtermann, u shpreh se “para se të përqafohet e ardhmja, duhet të shprehet mirënjohje e thellë për rektorin e deritanishëm, Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti”, duke e vlerësuar atë për vizionin, integritetin dhe përkushtimin me të cilin e ka udhëhequr universitetin. “Zgjedhja e Prof. Dr. Sadudin Ibraimit si rektor i ri është një moment i rëndësishëm në zhvillimin e institucionit dhe shprehje e besimit të Bordit dhe komunitetit akademik në aftësitë e tij drejtuese,” tha Tochtermann.
Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aliu, theksoi mbështetjen e vazhdueshme të dikasterit për këtë universitet. “Jemi të bindur se me përvojën, profesionalizmin dhe përkushtimin tuaj, do të udhëhiqni me sukses universitetin drejt sfidave të reja duke i dhënë prioritet inovacionit, digjitalizimit dhe përfshirjes së studentëve në procesin vendimmarrës,” tha ai, duke shtuar se Ministria do të mbetet partner i afërt i UEJL-së.
Pas dorëzimit të mandatit, rektori i mëparshëm, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, deklaroi se “sot është dita e bartjes së stafetës” dhe shprehu bindjen se pasuesi i tij do ta çojë universitetin drejt kapitujve edhe më të ndritur. “Prof. Ibraimi e ka dëshmuar kapacitetin e tij gjatë gjithë kohës dhe do ta dinamizojë më tej zhvillimin e universitetit,” tha Bexheti.
Në fjalimin e tij të parë si rektor, Prof. Dr. Sadudin Ibraimi u zotua për zhvillim të mëtejshëm dhe vizion të qartë. “Le ta ndërtojmë së bashku një universitet pa kufij, që promovon diversitetin, barazinë, përgjegjësinë dhe shërbimin ndaj shoqërisë; një universitet që zhvillon jo vetëm dijen, por edhe të qenit njeri,” tha ai.
Ceremonia u përmbyll me program artistik dhe vijoi me koktej, ku morën pjesë të ftuar nga vendi dhe rajoni.



