Udhëheqësit e “Sinn Fein” do të bojkotojnë vizitën në Shtëpinë e Bardhë për shkak të planit të SHBA-së për Gazën

Udhëheqësit e Sinn Fein kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në ngjarjet e Ditës së Shën Patrikut në Shtëpinë e Bardhë, në shenjë proteste ndaj qëndrimit të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për Gazën.
“Jemi të gjithë të pikëlluar teksa dëshmojmë vuajtjet e popullit palestinez dhe komentet e fundit të presidentit amerikan për dëbimin masiv të palestinezëve nga Gaza janë diçka që nuk mund ta injoroj”, tha të premten në një konferencë për shtyp në Dublin Kryeministrja e Irlandës së Veriut, Michelle O’Neill.
“Vendimi për të mos udhëtuar në Shtëpinë e Bardhë nuk është marrë lehtë, por është marrë me vetëdije për përgjegjësinë që secili prej nesh ka për të denoncuar padrejtësinë.”
Liderja e partisë Sinn Fein, Mary Lou McDonald, gjithashtu foli në konferencën për shtyp, duke thënë se nuk mund të vizitonte Uashingtonin “ndërsa ekziston kërcënimi i një dëbimi masiv ndaj popullit palestinez”.
Udhëheqësit politikë nga Irlanda e Veriut dhe Republika e Irlandës zakonisht udhëtojnë drejt SHBA-ve për të festuar ditën kombëtare të Irlandës më 17 mars.
Trump shkaktoi zemërim global më herët këtë muaj kur propozoi që SHBA të merrte kontrollin e Rripit të Gazës dhe të zhvendoste përgjithmonë banorët palestinezë diku tjetër.
Vendimi i Sinn Fein për të mos vizituar SHBA-në rrit presionin mbi Kryeministrin Micheal Martin, i cili pritet të takohet me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë, megjithëse ende nuk është ftuar zyrtarisht.
Irlanda ka qenë një kritike e zëshme e veprimeve të Izraelit gjatë konfliktit në Gaza dhe një nga mbrojtëset më të forta të çështjes palestineze brenda Bashkimit Evropian.
Trump duket se e ka zbutur qëndrimin e tij të premten, duke thënë se ai do ta “rekomandonte” planin e tij për Gazën, në vend që ta impononte atë. /Al Jazeera/