U ankua për përkrahjen ushtarake, ShBA-ja i kundërpërgjigjet ashpër Netanyahut

Shtëpia e Bardhë shprehu zemërim të thellë të enjten me kritikat e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ndaj Shteteve të Bashkuara, duke iu kundërpërgjigjur ankesës së tij se Uashingtoni po dështon që t’i ofrojë mbështetje të mjaftueshme ushtarake në luftën kundër Hamasit në Gaza.
Kundërpërgjigjja e Shtëpisë së Bardhë erdhi pak para se këshilltari izraelit për siguri kombëtare, Tzachi Hanegbi, dhe ministri i Punëve Strategjike, Ron Dermer, pritej të zhvillonin takime të ndara në Uashington me këshilltarin amerikan për siguri kombëtare, Jake Sullivan, dhe me sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Në një video në gjuhën angleze publikuar të martën, Netanyahu tha se i kishte thënë kryediplomatit amerikan që ishte “e pakonceptueshme” që Uashingtoni po “mban [pezull] armë dhe municione” për Izraelin. Blinkeni refuzoi që ta konfirmonte këtë komunikim.
“Ishte hutuese, thënë më së paku, pa dyshim zhgënjyese, sidomos duke marrë parasysh që asnjë shtet tjetër nuk është duke bërë më shumë për ta ndihmuar Izraelin që ta mbrojë veten kundër kërcënimit nga Hamasi” – u tha gazetarëve të enjten zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.
“Ideja që ne disi e kishin ndërprerë ndihmën për Izraelin rreth nevojave të tij për vetëmbrojtje është absolutisht jo e saktë” – shtoi ai, duke e përshkruar pretendimin si “irritues dhe zhgënjyes për ne, aq sa edhe jo korrekt”.
Duke iu kundërpërgjigjur komenteve të amerikanit Kirby, Netanyahu lëshoi një deklaratë në të cilën tha se ishte “i gatshëm për të pësuar sulme personale për aq gjatë sa Izraeli e pranon municionin që i nevojitet nga ShBA-ja në një luftë ekzistenciale”.
Shtetet e Bashkuara këmbëngulin se kanë mbajtur pezull vetëm një dërgesë të bombave. Netanyahu ende nuk ka treguar se cilave dërgesa po u referohej, kur po ankohej rreth transferimit të armëve.
“Ky president [Joe Biden] ngriti në ajër aeroplanë luftarakë në mesin e prillit për ta ndihmuar rrëzimin e disa qindra dronëve dhe raketave, përfshirë raketat balistike që ishin hedhur nga Irani drejt Izraelit. Nuk ekziston asnjë shtet tjetër që ka bërë më shumë ose që do të vazhdojë të bëjë më shumë se Shtetet e Bashkuara për ta ndihmuar… kryeministrin Netanyahu” –tha më tej Kirby.Nacionale.mk



