Tym, kaos e arrestime pas aksionit të PSD-së kundër Gjykatës Speciale

Partia Socialdemokrate mbajti protestë para objektit ku po qëndron kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ndërsa aktivistë të kësaj partie kanë hedhur edhe bombola të cilat lëshojnë tym.
Numër i madh i forcave policore ndodhet para hotel Siriusit, ku edhe po qëndron Trendafilova.
Policia e Kosovës ka arrestuar disa aktivistë të PSD-së, në mesin e të cilëve edhe Dardan Molliqaj dhe Nol Nushi, raporton Telegrafi.
Raportohet se nga gazi lotsjellës disa gazetarë kanë pasur probleme me frymëmarrje.
Ndërkaq, lidhur me arrestimet ka reaguar PSD.
Nga kjo parti thonë se në kundërshtim të Gjykatës Speciale, gjatë protestës së PSD janë arrestuar gjashtë aktivistë: kryetari Dardan Molliqaj, aktivistët Zgjim Hyseni, Nol Nushi, Korab Korça, Agron Kabashi dhe Gent Ibrahimi.
“Kjo është përpjekje për disiplinim dhe përmirësim imazhi për gjykatën e padrejtë speciale. Metodat frikësuese neve nuk na ndalin. Gjykata është raciste, e padrejtë dhe segreguese. Rezistenca vazhdon. Z. Trendafilova nuk është e mirëseardhur. Policia mund ta garantojë sigurinë fizike, por jo imazhin e një kryesuese të një procesi të padrejtë. Kërkojmë urgjentisht të lirohen aktivistët tonë!”, thuhet më tej.