Turqia në top 5 partnerët tregtarë të Kosovës për vitin 2025, në listë edhe Maqedonia e Veriut

Turqia është një nga top 5 shtetet me të cilat Republika e Kosovës ka zhvilluar tregti më së shumti gjatë vitit 2025 sipas të dhënave zyrtare të Doganës së Kosovës.

Në konferencën përmbyllëse për vitin 2025, drejtori i përgjithshëm, Agron Llugaliu, tha se Dogana e Kosovës po e mbyll vitin 2025 duke qenë institucioni i parë për zhdoganim në Ballkanin Perëndimor.

Ai tha se Dogana ka tejkaluar projeksionin e Qeverisë së Kosovës për të hyrat vjetore si dhe ka realizuar disa aksione të rëndësishme për luftimin e kontrabandimit.

“Te pjesa e të hyrave kemi pasur projeksionin prej Qeverisë në shumën 1 miliard e 897 milionë euro. Deri në ditën e fundit të këtij viti, do të arrijmë të mbledhim 1 miliard e 968 milionë euro. Kjo shumë përbën 135 milionë euro më shumë sesa viti paraprak dhe tejkalon projeksionin prej 70 milionë euro”, ka thënë Llugaliu.

Ai tha se edhe sivjet sikurse vite me radhë, Dogana e Kosovës mirëmban kohën më të mirë sa i përket zhdoganimit nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sa i përket tregtisë së ndërsjellë me vendet e huaja, Kosova më së shumti ka bërë tregti me Gjermaninë, pastaj Turqinë, pastaj Kinën, si dhe me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Sa i përket bilancit të ndërsjellë kemi këtë renditje: Vëllimi total i tregtisë me Gjermaninë është 1 miliardë e 64 milionë euro, Turqia me 933 milionë euro, Kina me 892 milionë euro, Maqedonia e Veriut me 468 milionë euro dhe Shqipëria me 426 milionë euro. Këto janë top pesë vendet sa i përket statistikave të tregtisë së ndërsjellë”, ka deklaruar Llugaliu.

Sipas tij, eksporti i Kosovës deri më 21 dhjetor është 929 milionë euro, krahas 942 sa ka qenë i tërë viti gjatë vitit 2024.

Vendet kryesore ku Kosova ka eksportuar gjatë këtij viti është Shqipëria me 157 milionë, Maqedonia e Veriut me 136 milionë, Gjermania me 106 milionë, Zvicra me 100 milionë dhe Serbia me 60 milionë.

Sa u përket produkteve që më së shumti janë eksportuar nga Kosova drejt vendeve të huaja, prijnë produktet nga industria e drurit, por një rritje po shënon edhe eksporti i pijeve nga Kosova.

I pranishëm në konferencën përmbyllëse të Doganës së Kosovës ka qenë edhe ministri në detyrë i Financave, i Punës dhe i Transfereve, Hekuran Murati, i cili tha se Dogana e Kosovës ka arritur t’i tejkalojë projeksionet buxhetore duke rritur të hyrat vjetore ndër tjera edhe si rezultat i luftës pa kompromis ndaj kontrabandës apo rrugëve të tjera ilegale.

Sipas Muratit, është shtuar kontrolli në gjithë territorin e vendit, janë mbyllur rrugët ilegale të kontrabandës dhe “Dogana e Kosovës është pajisur me pajisjet më të reja të teknologjisë së fundit sa i përket detektimit të mallrave të kontrabanduara”. /TRT Balkan/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button