Turqia kundërshton “në termat më të fuqishëm” deklaratat izraelite për aneksimin e Bregut Perëndimor
Turqia hodhi poshtë “në termat më të fortë” deklaratat e fundit të zyrtarëve të lartë izraelitë që bënin thirrje për aneksimin e Bregut Perëndimor të pushtuar, raporton Anadolu.
“Këto deklarata, të cilat janë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe zgjidhjen me dy shtete, janë dëshmi se qëllimi përfundimtar i Izraelit është okupimi i territoreve palestineze”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë.
Mungesa e ndëshkimeve për “politikën e vazhdueshme të gjenocidit dhe pushtimeve” të Izraelit kundër palestinezëve inkurajon më tej kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe mbështetësit e tij, thuhet gjithashtu në deklaratë.
Nga MPJ-ja turke i bëjnë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe komunitetit ndërkombëtar që të marrin një qëndrim të fortë kundër politikave “të paligjshme” të Izraelit.
Dje, ministri i Financave i ekstremit të djathtë të Izraelit, Bezalel Smotrich, në takimin e grupit të Partisë së tij të ekstremit të djathtë, Partia e Sionizmit Fetar, tha se është koha për të aneksuar Bregun Perëndimor të pushtuar, duke shtuar se ai kishte udhëzuar institucionet përkatëse që të fillonin punën për një plan aneksimi. Ai tha se viti 2025 do të jetë “viti i aneksimit” të Bregut Perëndimor.
Këtë qershor, Smotrich konfirmoi raportet nga “The New York Times” se ai kishte një “plan sekret” për të aneksuar Bregun Perëndimor dhe për të penguar çdo përpjekje për ta përfshirë atë në një shtet të ardhshëm palestinez.
Këtë korrik, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) riafirmoi të drejtën e palestinezëve për vetëvendosje, duke thënë se vendbanimet izraelite në tokat e pushtuara duhet të shpërbëhen.
E përditshmja izraelite “Hayom” raportoi se zyrtarë të lartë izraelitë kanë hartuar plane për të shtrirë sovranitetin mbi blloqe të caktuara të vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar, për të miratuar mijëra njësi banimi dhe për të hequr sanksionet ndaj kolonëve.
Sipas vlerësimeve izraelite, më shumë se 720 mijë kolonë të paligjshëm jetojnë në vendbanime në Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor. Sipas ligjit ndërkombëtar, megjithatë, të gjitha vendbanimet në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor konsiderohen të paligjshme.