Turqia hedh poshtë pretendimet për sulm ndaj një baze amerikane në vend

Qendra e Turqisë për Luftimin e Dezinformimit sot i hodhi poshtë si të rreme pretendimet e mediave sociale për një sulm ndaj një baze ushtarake amerikane në vend, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, qendra tha se postimet që qarkullojnë në disa llogari të mediave sociale që pretendojnë se “një bazë ushtarake amerikane e vendosur në Turqi është goditur” nuk pasqyrojnë të vërtetën.
Qendra thekson se nuk ka baza ushtarake në Turqi që i përkasin ndonjë vendi të huaj, duke shtuar se hapësira ajrore, territori tokësor, zonat e juridiksionit detar dhe objektet ushtarake të vendit janë plotësisht nën sovranitetin dhe kontrollin e Republikës së Turqisë.
Gjithashtu tha se nuk ka pasur sulm kundër Turqisë dhe i përshkroi postimet që e portretizojnë vendin si palë në konfliktet rajonale si një akt të qartë dezinformimi.
Sipas deklaratës, struktura e mbrojtjes dhe sigurisë së Turqisë është plotësisht funksionale dhe të gjitha zhvillimet po monitorohen në kohë reale nga institucionet përkatëse.
Qendra i kërkoi publikut të mos u besojë akuzave të pabaza dhe të mbështetet vetëm në deklaratat zyrtare nga autoritetet.



