Turqia dënon sulmin e ministrit izraelit në Xhaminë Al-Aksa

Të martën, Turqia dënoi me forcë sulmin në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa nga ministri izraelit i i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, duke e quajtur atë një provokim të papranueshëm kundër identitetit historik dhe ligjor të një prej vendeve më të shenjta të Islamit, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Turqisë tha se “Ne dënojmë fuqishëm sulmin me forcë nga një ministër izraelit në Xhaminë Al-Aksa”.
Ministria tha se i konsideron të papranueshme shkeljet dhe provokimet nga qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu që synojnë identitetin historik dhe ligjor të Xhamisë Al-Aksa, një vend i shenjtë që i përket ekskluzivisht myslimanëve.
Deklarata gjithashtu nënvizon se sigurimi që Al-Aksa të mbetet e hapur për adhurimin mysliman dhe heqja e të gjitha kufizimeve që pengojnë lirinë e adhurimit në vendet e shenjta në Kudsin Lindor të pushtuar janë një përgjegjësi e përbashkët e komunitetit ndërkombëtar.
Të hënën, ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, sulmoi kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor.
Autoritetet izraelite për të 38-ën ditë radhazi mbajnë të mbyllura Xhaminë Al-Aksa dhe Kishën e Varrit të Shenjtë, duke përmendur “gjendjen e jashtëzakonshme” të shpallur që nga fillimi i sulmit amerikano-izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt.



