“Turp për tërë njerëzimin”: Spanja do të hedhë 12 tonë ndihma nga ajri në Gaza

Spanja tha të hënën se do të hedhë 12 tonë ndihma ushqimore nga ajri në Gaza këtë javë, në kohën e shtimit të shqetësimit për vdekje nga uria në enklavë pas 21 muajve luftë.

Ky operacion është një shembull i rrallë ku një shtet evropian u bashkohet vendeve të Lindjes së Mesme – përfshirë, nga kjo fundjavë, Izraelin – në dërgimin e ndihmave në Gaza përmes ajrit, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, njëri nga kritikuesit më të ashpër të ofensivës ushtarake të Izraelit në Gaza, tha në një konferencë për gazetarë se dërgimi i ndihmave do të fillojë nga Jordania të premten përmes aeroplanëve të forcës ajrore spanjolle.

“Uria në Gaza është një turp për tërë njerëzimin dhe ndalja e saj, prandaj, është një urgjencë morale” – tha ai.

Ministria e Mbrojtjes e Spanjës tha se 12 tonët e ndihmave do të shpërndahen përmes një operacioni të ngjashëm me një tjetër që ishte kryer në mars të vitit të kaluar, kur autoritetet spanjolle kishin dërguar 26 tonë ushqim në Gaza.

Izraeli të dielën njoftoi se do t’i ndërpriste luftimet në pjesë të mëdha të Gazës për 10 orë “pauzë humanitare” çdo ditë, me afat të pacaktuar, dhe do të hapë korridore të reja për ndihma, përderisa disa shtete arabe, me lejen e Izraelit, e rinisën dërgimin e asistencës humanitare në enklavë.

Nga e shtuna, Izraeli, Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe gjithashtu kanë hedhur ndihma nga ajri në Gaza.

Në përgjithësi, zyrtarët humanitarë janë skeptikë se vetëm ndihmat nga ajri do të ofrojnë ushqim të mjaftueshëm për ta luftuar krizën e urisë.

Ministria e Shëndetësisë e menaxhuar nga Hamasi në Gaza tha të premten se të paktën 56 njerëz kishin vdekur nga shkaqe të lidhura me kequshqyerjen në tri javët paraprake, përfshirë 22 fëmijë./Nacionale

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button