Trumpi kërcënon BE-në me tarifa teksa liderët takohen në Bruksel

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar se shumë shpejt do të vendosë tarifa edhe ndaj Bashkimit Evropian

Këtë deklaratë ai e dha pak para se liderët e BE-së të zhvillojnë një takim në Bruksel, raportoi BBC-ja.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, do të bashkohet me udhëheqësit e BE-së të hënën në Samitin BE-MB për ta rregulluar këtë çështje në pranverë.

Shtetet e Bashkuara kanë një deficit tregtar me Bashkimin Evropian, që do të thotë se importojnë më shumë nga vendet evropiane sesa u shesin atyre.

Vitin e kaluar, SHBA-ja pati deficit prej 213 miliardë dollarësh – të cilin Trumpi e ka përshkruar si “mizori”.

Ndër eksportet kryesore evropiane në Amerikë janë produktet farmaceutike, makinat dhe llojet e tjera të makinerive të avancuara. Ndërkohë, SHBA-ja shet naftë, gaz dhe shërbime financiare në Evropë.
Vende të ndryshme do të preken në mënyra të ndryshme nga tarifat e SHBA-së. Irlanda, për shembull, është deri tani më e varura nga tregu amerikan – gati gjysma e eksporteve të saj jashtë BE-së janë të destinuara për në Amerikë.

Vendet që blejnë shumë nga SHBA përfshijnë Holandën dhe Gjermaninë – edhe pse kjo e fundit eksporton vëllim të madh automjetesh në këmbim.

Megjithatë, BE-ja thotë se do të veprojë me përgjigje “të vendosur” kolektive kur të hyjnë tarifat.

Me Britaninë e Madhe gjërat janë pak më ndryshe. SHBA-ja nuk ka deficit tregtar aq të lartë me këtë vend, andaj siç ka thënë Trumpi, Britania e Madhe është “jashtë linjës” dhe se mund të arrihet një marrëveshje.

“Patjetër që do të ndodhë me Bashkimin Evropian. Mund t’ju them këtë, sepse ata kanë përfituar me të vërtetë, thashë, e dini, ne kemi mbi 300 miliardë dollarë deficit. Ata nuk i marrin veturat tona, nuk i marrin produktet tona bujqësore. Ata nuk marrin pothuajse asgjë, dhe ne marrim gjithçka nga miliona makina, sasi të jashtëzakonshme ushqimesh dhe produkte bujqësore. Nuk do të thosha se ka një afat kohor, por do të jetë shumë shpejt”, ka paralajmëruar Trumpi.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button