Trumpi i kërkon 10 mijë agjentë shtesë në kufi me Meksikën
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka propozuar që Patrullës Kufitare t’i shtohen edhe 10 mijë agjentë dhe t’u ndahen nga dhjetë mijë dollarë shtesë pasi kandidati republikan ka hedhur poshtë një ligj dypartiak të aprovuar në fillim të vitit e me të cilin përfshihej edhe ndarja e fondeve shtesë për personelin, raporton AP.
Trumpi e ka bërë propozimin gjatë një tubimi në Luginën Prescott në Arizonë, shtet që kufizohet me Meksikën. Ai e ka pranuar mbështetjen e sindikatës së agjentëve kufitarë, Këshilli Kombëtar i Patrullës Kufitare, që është një mbështetëse e kamotshme e Trumpit, duke ofruar mbështetje edhe gjatë dy fushatave paraprake.
Trumpi e ka kthyer imigrimin ilegal në fokus të fushatës së tij dhe ka fajësuar zëvendëspresidenten Kamala Harris, rivalen demokrate, për ngritjen rekorde të kalimeve të paautorizuara kufitare ndërmjet Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai së fundmi i ka quajtur imigrantët ilegalë si kriminelë dhe pushtues, si dhe është zotuar se do të ndërmerrte operacionin më të madh të riatdhesimit në historinë amerikane nëse do të kthehej edhe njëherë në Shtëpinë e Bardhë.
Ai e kishte sfiduar ligjin, të mbështetur edhe nga republikanët, me të cilin parashihet shtimi i rreth 1.500 agjentëve shtesë në zonën kufitare.
Trumpi kishte deklaruar atëherë bashkëpartiakët ua dorëzuan një fitore demokratëve. Trumpi ka përsëritur në Arizona se legjislacioni i ri është “një ligj i tmerrshëm”.
Trumpi dhe aleatët e tij po i referohen zëvendëspresidentes Harris si “caresha e kufirit”, duke e fajësuar për ngritjen e numrit të kalimeve ilegale kufitare. Presidenti Joe Biden i kishte kërkuar më parë Harrisit që të studionte “shkaqet rrënjësore” të migrimit nga Amerika Qendrore. /Kallxo