Trumpi e lidh autizmin me konsum të paracetamolit gjatë shtatzënisë, alarmohen mjekët

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se Administrata e Ilaçeve në SHBA (FDA) do t’i njoftojë mjekët se përdorimi i ilaçit Tylenol (në Evropë njihet si paracetamol) gjatë shtatzënisë mund të lidhet me “rritjen e madhe të rrezikut për autizëm”, pavarësisht dekadave të tëra të dëshmive se bëhet fjalë për bar të sigurt.
“Ka rekomandime të fuqishme se gratë duhet të kufizojnë përdorimin e Tylenolit gjatë shtatzënisë, pos në rastet e domosdoshme” për të trajtuar “temperaturën që nuk mund ta hiqni ndryshe”, ka thënë Trumpi.
Ekspertët thonë megjithatë se ka shumë shkaktarë të autizmit dhe shkenca nuk e ka dëshmuar deri tash ndonjë lidhje në mes të autizmit dhe Tylenolit. Pa trajtim, ethet dhe temperatura mund të jenë të rrezikshme për fetusin, por edhe gruan shtatzënë. Rreziku përfshin humbjen e foshnjës, defekte në lindje e presion të lartë të gjakut.
Në një moment gjatë shtatzënisë, shumica e njerëzve përdorin acetaminophen në SHBA, apo që në Evropë njihet si paracetamol. Bëhet fjalë për terapi që konsiderohet më e sigurta për të përballuar dhimbjet apo ethet a temperaturën për shtatzënat.
Duke folur nga Shtëpia e Bardhë të hënën vonë, krah sekretarit të Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., komisionerit të Administratës së Ushqimit dhe Barnave, Marty Makary, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shëndetësorë, Trump ka përmendur Tylenolin (acetaminopheni shitet nën këtë emër) si bar që duhet të mos merret gjatë shtatzënisë. Ai ka thënë se edhe vaksinimi i fëmijëve kundër hepatitit B të shtyhet në moshën 12-vjeçare.
“Është shumë likuid, shumë gjëra të ndryshme po shkojnë te foshnja juaj”, ka thënë Trumpi pa ofruar dëshmi.
Hulumtime të shumta kanë treguar se nuk ka ndërlidhje në mes të vaksinimit dhe autizmit.
Trumpi e ka falënderuar Kennedyn për sjelljen e autizmit “si prioritet kryesor të politikës amerikane”.
Pavarësisht thirrjeve të Trumpit për të mos marrë këtë bar, deklaratat e Kennedyt ishin më të matura. Ai ka thënë se së shpejti do të lëshohet një fushatë kombëtare në SHBA për t’i informuar familjet për mbrojtje të shëndetit publik dhe rreziqet për përdorim të Tylenolit gjatë shtatzënisë. Sipas tij, agjencia shëndetësore do t’i inkurajojë mjekët që të përdorin barin me dozë shumë më të ulët “me kohëzgjatje më të shkurtër, dhe vetëm kur kërkohet trajtim”.
FDA-ja ka thënë se tani do ta nisë procesin e ndryshimit të etiketave të sigurisë mbi produktet e acetaminophenit dhe se shkencëtarët do t’ua lejojnë njerëzve që të zgjedhin vetë përdorimin e Tylenolit.
E prodhuesit e bart kanë thënë menjëherë se “kundërshtojnë fuqishëm” pretendimin se përdorimi i acetaminophenit shkakton autizmin. “Kenvue”, kompania që prodhon Tylenolin në SHBA, ka thënë se “është tejet e shqetësuar për konfuzionin që ky pretendim mund të shkaktojë te gratë shtatzëna dhe prindërit”.
Fondacioni i Shkencës për Autizmin ka thënë se “është thellësisht i shqetësuar” për deklaratat e Trumpit. Ato i cilësoi të rrezikshme.
“Nuk jemi të sigurt se përse ky njoftim doli sot e si erdhi te konkluzat”, ka thënë nëpërmjet një deklarate me shkrim Alison Singer, presidente e grupit. “Nuk ka asnjë studim të ri shkencor apo të dhëna të prezantuara. Asnjë studim i ri nuk është publikuar. Nuk ka prezantim të ri për këtë temë në konferenca mjekësore a shkencore. Përkundrazi, presidenti Trump foli se çka mendon dhe si ndihet pa ofruar dëshmi specifike shkencore. Ai tha ‘hidheni’ duke nënkuptuar të mos e merrni Tylenolin apo t’ia jepni fëmijës. Kjo më ktheu në kohën kur nënat fajësoheshin për autizmin. Nëse nuk mund të përballoni dhimbjen apo të merreni me temperaturën/ethet, atëherë është faji juaj që fëmija ka autizëm. Është shokuese. Thjesht shokuese”.
Çka thotë shkenca?
Shkenca deri tash nuk ka gjetur lidhje mes Tylenolit dhe autizmit. Një studim i madh i kryer më 2024 në Suedi, i publikuar në JAMA, e në të cilin ishin përfshirë më shumë se dy milionë fëmijë – nuk ka gjetur lidhje në mes të marrjes së acetaminophenit gjatë shtatzënisë dhe autizmit, çrregullimit të hiperaktivitetit të mungesës së vëmendjes ose çrregullime të tjera neurozhvillimore.
Në gusht, një studim i madh i BMC Environmental Health analizoi 46 studime për përdorimin e acetaminophenit gjatë shtatzënisë. Gjashtë nga këto studime ishin marrë specifikisht me lidhjen mes autizmit dhe acetaminophenit. Studimi kishte gjetur se “ka lidhje të fuqishme” në mes të përdorimit të barit dhe autizmit, por autorët kishin treguar kujdes duke thënë se hulumtimi nuk mund të tregojë se acetaminopheni shkakton autizmin.