Trump thotë se është marrë vesh me Putinin për të negociuar armëpushimin në Ukrainë
![](https://alfax.mk/wp-content/uploads/2025/02/putinm.webp)
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se ka biseduar në telefon me liderin rus, Vladimir Putin, dhe se janë pajtuar për krijimin e menjëhershëm të ekipeve për të negociuar armëpushimin për luftën në Ukrainë, raporton The Guardian.
Në një postim në rrjete sociale, Trumpi ka shkruar se ai ka zhvilluar një “telefonatë të gjatë dhe shumë produktive” me Putinin, dhe se ata të dy kanë pranuar që “ekipet e tyre negociatore të fillojnë bisedimet menjëherë”.
Ai ka shtuar gjithashtu se të dy liderët kishin pranuar të vizitojnë vendet e njëri-tjetrit.
“Siç jemi dakorduar, ne duam të ndalojmë humbjen e miliona jetëve që po ndodh në luftën me Rusinë dhe Ukrainën”, shkroi Trump në rrjetin social TruthSocial.
Siç raporton The Guardian Ekipi negociator i SHBA-së mund të përfshijë sekretarin amerikan të shtetit, Marco Rubio; drejtorin e shërbimit inteligjent amerikan (CIA), John Ratcliffe; këshilltarin e lartë për siguri kombëtare; Michael Waltz, dhe emisarin special Steve Witkoff.
Zyrtarët ukrainas dhe evropianë kanë ngritur shqetësime për pozicionin negociator të SHBA-së, që do të përjashtonte skenarin e dërgimit të trupave amerikane në Ukrainë ose anëtarësimin e Ukrainës në NATO.