Trump pret takim “shumë të mirë” me presidentin kinez Xi

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të premten se takimi i tij i ardhshëm me presidentin kinez Xi Jinping “do të jetë një takim shumë i mirë”, transmeton Anadolu.
Duke folur me gazetarët ndërsa largohej nga Shtëpia e Bardhë për turneun e tij në Azi, Trump tha se diskutimet me homologun Xi javën e ardhshme do të mbulojnë tregtinë dhe tarifat midis dy vendeve, si dhe çështjet që lidhen me Tajvanin.
“Kemi shumë për të folur me presidentin Xi dhe ai ka shumë për të folur me ne. Mendoj se do të jetë një takim i mirë”, tha Trump.
“Ne kemi një tarifë prej 157 për qind për ta. Nuk mendoj se kjo është e qëndrueshme për ta, dhe ata duan ta ulin atë”, tha ai, duke shtuar se SHBA-ja gjithashtu kërkon lëshime të caktuara.
Trump do të takohet me Xi më 30 tetor në margjinat e samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në Korenë e Jugut.
Trump do të takohet me kryeministrin e Malajzisë, Anwar Ibrahim, të dielën dhe do të marrë pjesë në darkën e punës së udhëheqësve SHBA-ASEAN. Më vonë, ai do të udhëtojë për në Tokio dhe do të takohet me kryeministren e re japoneze, Sanae Takaichi.
Presidenti amerikan do të fluturojë më pas për në qytetin port të Koresë së Jugut, Busan, ku do të takohet me presidentin Lee Jae Myung përpara se të mbajë një fjalim në drekën e drejtuesve të APEC-ut dhe të marrë pjesë në një darkë pune të udhëheqësve SHBA-APEC.



