Trump padit WSJ-në 10 miliardë dollarë për raportin mbi Epsteinin

Presidenti amerikan Donald Trump ka paditur të premten gazetën Wall Street Journal (WSJ) dhe pronarin e saj Rupert Murdoch për të paktën 10 miliardë dollarë dëmshpërblim për një raport që pretendon se ai kishte shkruar një letër me përmbajtje të pahijshme për ditëlindjen e financierit të turpëruar Jeffrey Epstein.
“Ne sapo kemi ngritur një PADI të FUQISHME ndaj të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në publikimin e këtij artikulli të rremë, keqdashës, shpifës, LAJMI TË RREMË në atë letër pa vlerë që quhet Wall Street Journal,” shkroi Trump në një postim në rrjetet sociale.
WSJ zbuloi të enjten se një letër nga Trump ishte përfshirë në një album që ishte përgatitur për të festuar 50-vjetorin e lindjes së Epstein.
Sipas gazetës, suveniri prej lëkure ishte përpiluar në vitin 2003 nga ndihmësja prej kohësh e Epstein-it dhe trafikantja e dënuar e fëmijëve për seks, Ghislaine Maxwell.
Padia e Trumpit, që ai e quajti një “veprim historik ligjor”, synon gazetarët e WSJ, Khadeeja Safdar dhe Joseph Palazzolo, emrat e të cilëve janë në nënshkrimin e artikullit, si dhe vetë gazetën, kompanitë mëmë News Corp dhe Dow Jones, Murdochun dhe drejtuesin ekzekutiv të News Corp, Robert Thomson.
“Mashtrim”
E dorëzuar në një gjykatë federale në Miami, padia akuzon të pandehurit për “dështime të qarta gazetareske” dhe pretendon se raporti ishte “i rremë, shpifës, i pabazë dhe përçmues”.
“Shpresoj që Ruperti dhe ‘miqtë’ e tij mezi presin orët e gjata të marrjes në pyetje dhe dëshmive që do të duhet të japin për këtë çështje,” shtoi presidenti në platformën Truth Social.
Raporti i WSJ vjen në një moment kur Trump përballet me një vorbull skandalesh për shkak të dosjeve të Epstein-it – një koleksion dokumentesh qeveritare që Departamenti i Drejtësisë ka refuzuar t’i bëjë publike deri tani, duke shkaktuar përçarjen më të madhe deri më sot brenda lëvizjes së tij Make America Great Again (MAGA), që ai e popularizoi gjatë fushatave presidenciale të viteve 2026 dhe 2024.
Departamenti i Drejtësisë njoftoi javën e kaluar se ka përcaktuar që Epstein ka kryer vetëvrasje në vitin 2019 dhe se ai nuk kishte asnjë “listë klientësh”, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi te mbështetësit e MAGA-s.
Trump e ka quajtur skandalin Epstein një “mashtrim” dhe u ka kërkuar mbështetësve të tij që të ecin përpara, edhe pse ata vazhdojnë të kërkojnë publikimin e dokumenteve, përfshirë “listën e klientëve” që prokurorja e përgjithshme Pam Bondi deklaroi në shkurt se “ndodhet në tryezën time tani.” /TRT World/