Trump: Nuk besoj që lideri i ri suprem i Iranit “mund të jetojë në paqe”

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se dyshon që lideri i sapoemëruar suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, mund të bashkëjetojë në mënyrë paqësore me Washingtonin, duke përsëritur pakënaqësinë e tij me zgjedhjen e udhëheqjes nga Teherani, transmeton Anadolu.

“Nuk besoj se ai mund të jetojë në paqe”, tha Trump për “Fox News” në një intervistë, duke shtuar se ai “nuk është i kënaqur” me përzgjedhjen e Iranit. Ai më herët e kishte quajtur këtë emërim “një gabim të madh” dhe kishte paralajmëruar se lideri i ri “nuk do të zgjasë shumë” pa miratimin e SHBA-së.

Sa i përket mundësisë së bisedimeve të SHBA-së me Iranin, Trump nuk u shpreh qartë. “Po dëgjoj se ata duan shumë të bisedojnë”, tha ai, por shtoi se kjo është vetëm “e mundshme” dhe varet nga kushtet e pranueshme, një kontrast i dukshëm me deklaratën e tij të mëparshme se ai tashmë “kishte rënë dakord të bisedonte” me zyrtarët iranianë.

Trump gjithashtu ofroi justifikime të reja për nisjen e fushatës, duke pretenduar se SHBA-ja kishte shkatërruar gjysmën e rezervës së raketave të Iranit në sulmet e saj fillestare më 28 shkurt. “Nëse ne do të kishim pritur tre ditë, besoj se do të ishim sulmuar”, tha ai, një pretendim që Irani e ka kundërshtuar, duke thënë se nuk kërkon armë bërthamore apo raketa të afta për të arritur SHBA-në.

Trump tha se të dërguarit e tij Steve Witkoff dhe Jared Kushner e kishin informuar se Irani pretendon se ka mjaftueshëm uranium të pasuruar për 11 bomba bërthamore, duke shtuar se ky zbulim në fakt e bëri veprimin ushtarak të pashmangshëm. “Ata në thelb po thonë se unë duhet t’i sulmoj”, tha Trump.

Armiqësitë në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar që kur Izraeli dhe SHBA-ja nisën një sulm të përbashkët ndaj Iranit më 28 shkurt, duke vrarë deri më tani sipas raportimeve më shumë se 1.200 persona, përfshirë liderin suprem të atëhershëm Ajatollah Ali Khamenei. Mojtaba Khamenei, i emëruar këtë javë në këtë post, është djali i tij.

Teherani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë në shënjestër Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake të SHBA-së. Tetë ushtarë amerikanë janë vrarë që nga fillimi i fushatës.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button