Trump nënshkruan urdhrin e “anti-semitizmit” që hap rrugën për dëbimin e studentëve pro-palestinezë

Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi mbrëmë një urdhër ekzekutiv që hap derën për dëbimin e studentëve demonstrues pro-palestinezë, në një përpjekje që ai thotë se synon të luftojë antisemitizmin, raporton Anadolu.

Trump tha se pas sulmit të 7 tetorit 2023 të udhëhequr nga Hamasi ndaj Izraelit, “studentët hebrenj janë përballur me një diskriminim të pandërprerë; mohim të qasjes në zonat dhe objektet e përbashkëta të kampusit, duke përfshirë bibliotekat dhe klasat; si dhe me frikësime, ngacmime, kërcënime dhe sulme fizike”.

Megjithëse Trump nuk përmendi demonstruesit apo protestat drejtpërdrejt në urdhrin e tij, ai mund t’i referohej valës së demonstratave që shpërthyen në kampuset e kolegjeve në mes të luftës gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës.

Protestat, të cilat morën forma të ndryshme, duke përfshirë edhe tubimet dhe grevat e urisë, janë zbutur kryesisht pasi kampuset e kolegjeve vendosën rregulla të reja sipas të cilave u rritën dënimet ndaj demonstruesve, përfshirë edhe ndaj atyre që protestuan pa autorizim zyrtar.

Trump tha se tani do të ishte politika e qeverisë amerikane “të luftojë fuqishëm antisemitizmin, duke përdorur të gjitha mjetet ligjore të disponueshme dhe të përshtatshme, për të ndjekur penalisht, larguar ose në formë tjetër të mbajë përgjegjës autorët e ngacmimeve dhe dhunës së paligjshme antisemitike”.

Urdhri i drejtohet në mënyrë specifike Sekretarit të Shtetit, Sekretarit të Arsimit dhe Sekretarit të Sigurisë së vendit, që të konsultohen me njëri-tjetrin për të hartuar raporte që do të përfshijnë rekomandime për njoftimin e kolegjeve dhe universiteteve “me arsyet e papranueshmërisë sipas Kodit të 8-të të SHBA-së (U.S.C. 1182 a-3) në mënyrë që këto institucione të mund të monitorojnë dhe raportojnë aktivitetet e studentëve dhe personelit të huaj që kanë lidhje me ato baza dhe për të siguruar që raporte të tilla për të huajt të çojnë, sipas rastit dhe në përputhje me ligjin në fuqi, në hetime dhe, nëse vërtetohen, në veprime për largimin e të huajve të tillë”.

Urdhri i referohej një seksioni në ligjin amerikan që specifikon se shtetasve të huaj mund t’u ndalohet hyrja në SHBA për arsye sigurie.

Të gjitha agjencitë qeveritare janë gjithashtu të udhëzuara t’i paraqesin një raport Trump-it brenda 60 ditëve “duke identifikuar të gjitha autoritetet civile dhe penale ose veprimet brenda juridiksionit të asaj agjencie, përtej atyre të zbatuara tashmë sipas Urdhrit Ekzekutiv 13899, që mund të përdoren për të frenuar ose luftuar anti-semitizmin”.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button