Trump ndryshon qëndrimin: “Ukraina mund t’i rikthejë të gjitha territoret e pushtuara nga Rusia”

Në një ndryshim të madh nga qëndrimi i tij i kahershëm ndaj luftës, presidenti i SHBA-së Donald Trump tha të martën se Ukraina tani është në pozicion për të rifituar gjithë territorin e saj të pushtuar aktualisht nga Rusia, transmeton Anadolu.
Pas takimit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy me dyer të mbyllura në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, Trump tha se duke pasur parasysh “problemet ekonomike” që lufta po i shkakton Rusisë, “mendoj se Ukraina, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, është në pozicion për të luftuar dhe për të fituar gjithë Ukrainën në formën e saj origjinale”.
“Me kohë, durim dhe mbështetjen financiare të Evropës dhe, në veçanti, të NATO-s, kufijtë origjinalë nga ku filloi kjo luftë, janë një mundësi shumë e mirë. Pse jo? Rusia ka luftuar pa qëllim për tre vjet e gjysmë”, tha Trump në platformën e tij “Truth Social”, duke e quajtur gjithashtu Rusinë “tigër letre”.
Nuk është e qartë nëse Trump po i referohej edhe Gadishullit të Krimesë, të cilin Rusia e pushtoi ilegalisht në vitin 2014, por ai tha që duke pasur parasysh problemet ekonomike të Kremlinit, Ukraina potencialisht mund të “shkojë edhe më tej se” kufijtë post-sovjetikë të vendit.
Presidenti rus Vladimir “Putin dhe Rusia janë në probleme të mëdha ekonomike dhe kjo është koha që Ukraina të veprojë. Sidoqoftë, u uroj të dy vendeve gjithë të mirat. Ne do të vazhdojmë të furnizojmë me armë NATO-n që NATO të bëjë çfarë të dojë me ta. Fat të mbarë të gjithëve!”, shtoi ai.
– Zelenskyy pretendon fitore në luftë
Komentet janë një ndryshim i madh në pozicionin e presidentit amerikan, i cili pati një zënkë të pazakontë verbale me Zelenskyyn gjatë një takimi jashtëzakonisht jodiplomatik në Zyrën Ovale në shkurt, në të cilin ai e kritikoi ashpër presidentin ukrainas.
“Nuk jeni në pozicion shumë të mirë tani. I keni lejuar vetes të jeni në një pozicion shumë të keq”, pati thënë Trump atëherë. “Nuk i keni kartat tani”, ishte shprehur ai.
Përpara takimit të së martës, Zelenskyy u tha gazetarëve në një fjalim të shkurtër se këtë muaj, forcat e vendit të tij kanë rimarrë kontrollin e 360 kilometrave katrorë të territorit të pushtuar më parë dhe kanë rrethuar 1.000 ushtarë rusë.
Ai riafirmoi më tej kërkesën e Ukrainës për presion dhe sanksione shtesë ndaj Moskës dhe shprehu mbështetje për thirrjen e Trumpit drejtuar vendeve evropiane që të ndërpresin blerjen e naftës ruse.
Më parë këtë muaj, Trump deklaroi se është i përgatitur të vendosë sanksione të mëdha ndaj Rusisë nëse të gjithë anëtarët e NATO-s bien dakord të ndalojnë blerjen e naftës ruse dhe të ndërmarrin hapa të ngjashëm.