Trump kërcënon të ndërpresë ndihmën për Argjentinën nëse Milei humbet zgjedhjet

Donald Trump ka paralajmëruar se mund të ndërpresë ndihmën financiare për Argjentinën nëse aleati i tij, Javier Milei, humbet zgjedhjet vendimtare legjislative këtë muaj.

“Nëse ai humbet, ne nuk do të jemi bujarë me Argjentinën ”, tha presidenti amerikan ndërsa Milei vizitoi Shtëpinë e Bardhë për të kërkuar mbështetjen politike dhe ekonomike të republikanit.

“Unë jam me këtë njeri sepse filozofia e tij është e saktë. Dhe ai mund të fitojë dhe mund të mos fitojë, mendoj se ai do të fitojë. Dhe nëse ai fiton, ne do të qëndrojmë me të, dhe nëse ai nuk fiton, ne do të ikim”, u shpreh Trump.

Administrata e Trump ka premtuar tashmë 20 miliardë dollarë për të mbështetur ekonominë e Argjentinës, por mbështetja e tij nuk ka arritur të qetësojë tregjet, ose të ndihmojë sondazhet e Milei-t para zgjedhjeve që do të zhvillohen, më 26 tetor.

Duke e cilësuar Milein si një “lider të madh”, Trump tha se do ta “mbështeste plotësisht” aleatin e tij në zgjedhje. “Ai është Maga deri në fund, është ‘Ta bëjmë Argjentinën të madhe përsëri’”, shtoi ai.

Trump ka shprehur vazhdimisht mbështetje politike për Milei-n, ndërkohë që e ka mbështetur atë me një premtim për ndihmë të madhe ekonomike, por tregjet mbeten të “trembura” nga Argjentina.

“Argjentina përballet me një moment të mungesës së likuiditetit akut”, tha sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, javën e kaluar, duke njoftuar një marrëveshje prej 20 miliardë dollarësh.

Ndërkohë, në Argjentinë, ka pasur spekulime të ashpra rreth asaj që Trump mund të kërkojë nga Milei në këmbim të mbështetjes së tij.

Zyra e presidentit argjentinas tha se udhëheqësit do të diskutojnë “tema të shumta”.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button