Trump i kërkon homologut izraelit falje për Netanyahun i cili gjykohet për korrupsion

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump i dërgoi letër presidentit Izraelit, Isaac Herzog duke i kërkuar atij të falë kryeministrin Izraelit, Benjamin Netanyahu i cili gjykohet për korrupsion, transmeton Anadolu.
Mediat izraelite publikuan letrën e Trumpit dërguar presidentit izraelit Herzog.
Në letrën e tij, Trump tha se respekton pavarësinë e gjyqësorit izraelit dhe pretendon se gjyqet kundër Netanyahut janë “politike dhe të padrejta”. Ai në letrën e tij i kërkoi Herzogut të falë Netanyahun.
Në një deklaratë me shkrim Zyra për media e presidencës konfirmoi se Trump i ka dërguar letër presidentit Herzog duke i kërkuar atij të falë Netanyahun.
“Herzog ka respekt të madh për Trumpin”, thuhet në deklaratën ku vihet theksi se një kërkesë zyrtare duhet të paraqitet në Zyrën Presidenciale për të kërkuar faljen e dikujt.
Në një fjalim në Parlamentin izraelit muajin e kaluar, Trump iu drejtua Herzogut dhe i kërkoi atij të falte Netanyahun. Megjithatë, Herzog zgjodhi të heshtë për kërkesën e Trumpit gjatë fjalimit të tij në Parlament.
Gjyqet për korrupsion kundër Netanyahut, kryeministrit të parë në historinë e Izraelit që u gjykua ndërsa ishte në detyrë, kanë vazhduar për shumë vite.
– Gjyqet e Netanyahut për korrupsion
Prokurori i përgjithshëm i Izraelit, Avichai Mandelblit më 21 nëntor 2019 kërkoi ngritjen e akuzës kundër Netanyahut, në tri raste të ndara korrupsioni, duke e akuzuar atë për “ryshfet, tradhti të besimit dhe shpërdorim të detyrës për qëllime personale”.
Seanca e parë dëgjimore për Netanyahun, “kryeministrin e parë izraelit” që u gjykua gjatë kohës që ishte në detyrë, u zhvillua më 24 maj 2020 në Gjykatën e Qarkut të Kudsit.
Netanyahu u paraqit për herë të parë para një gjyqtari në Gjykatën e Qarkut të Tel Avivit për të dëshmuar më 10 dhjetor 2024. Ai po gjykohet me akuzat për “ryshfet, mashtrim dhe shpërdorim të detyrës” në tri dosje të ndara korrupsioni të njohura si “1000”, “2000” dhe “4000”.



