Trump: Epoka e Artë e Amerikës sapo ka filluar

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shpallur “Epokën e Artë të Amerikës”, duke pretenduar arritje të rëndësishme në gjashtë javët e para të administratës së tij, transmeton Anadolu.
“Epoka e Artë e Amerikës sapo ka filluar. Gjatë gjashtë javëve të fundit, administrata jonë ka përmbushur premtimet si asnjë administratë para saj, duke e vënë gjithmonë Amerikën në vend të parë”, tha Trump në platformën ‘Truth Social’.
Ai vlerësoi Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë, një përpjekje e diskutueshme jozyrtare e qeverisë për uljen e kostove të udhëhequr nga miliarderi Elon Musk, donatori kryesor i fushatës së tij vitin e kaluar.
“Ne sapo patëm një takim me shumicën e sekretarëve (të kabinetit), Elonin dhe të tjerë, dhe kaloi shumë pozitiv. Është shumë e rëndësishme që ne të ulim nivelet atje ku duhet të jenë, por është gjithashtu e rëndësishme të mbajmë njerëzit më të mirë dhe më produktiv”, tha Trump.
Trump foli për një strategji ku sekretarët e kabinetit do të punonin ngushtë me ekipin e Muskut për të përcaktuar se cilët punonjës të qeverisë do të mbeten në pozicionet e tyre, në emër të produktivitetit dhe efektivitetit.
Trump tha se këto takime dy-javore do të vazhdojnë derisa të përfundojnë rregullimet e personelit.
Megjithatë, puna e ekipit të Muskut ka tërhequr polemika të konsiderueshme, madje edhe në mesin e Partisë Republikane të Trumpit. Sekretarët e kabinetit thuhet se janë të shqetësuar se Musk, i cili është i paemëruar ndryshe nga ata, po uzurpon pushtetin e tyre.
Një varg gabime dhe turpërime kanë hedhur hije mbi ekipin javët e fundit, nga shkarkimi i punonjësve kritik dhe më pas nxitimi për t’i ri-punësuar ata, te postimi i “kursimeve” në faqen e tij të internetit që ishin numëruar shumë herë ose ishin për programet qeveritare të anuluara përpara muajit janar, kur Trump mori detyrën.
Kritikët e punës së Muskut thonë se shkarkimet e tij janë pa kriter dhe të pamatura, si dhe shkelin rregullat e konfliktit të interesit.