Trump: Do të doja që Izraeli të lejonte gazetarët ndërkombëtarë të hyjnë në Gaza

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është shprehur se “do të donte” që Izraeli të lejonte gazetarët ndërkombëtarë të raportonin nga Rripi i Gazës nën rrethim, transmeton Anadolu.

Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli ka ndaluar hyrjen e gazetarëve ndërkombëtarë në Gaza, me përjashtime të rralla të dhëna për periudha të kontrolluara nga ushtria izraelite. Shumica e raportimeve nga Gaza kanë ardhur nga gazetarët lokal palestinezë, prej të cilëve të paktën 184 janë vrarë nga Izraeli që nga fillimi i luftës.

“Do të doja ta shihja që ndodh. Nuk do të kisha asnjë problem që gazetarët të hynin atje. Është një pozitë shumë e rrezikshme, siç e dini, nëse je gazetar, por unë do të doja ta shihja atë”, u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale.

Të dielën vonë, korrespondentët e Al Jazeera në Gaza, Anas al-Sharif, Mohamed Qraiqea, si dhe tre persona të tjerë u vranë në një sulm izraelit që shënjestroi një tendë gazetarësh pranë Spitalit Al-Shifa në qytetin e Gazës.

Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, Izraeli ka vazhduar me ofensivën brutale ushtarake në Gaza që nga tetori i vitit 2023, duke vrarë të paktën 61.700 palestinezë, gati gjysma e tyre gra dhe fëmijë. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën, e cila po përballet me një uri të madhe.

Pavarësisht shqetësimeve ndërkombëtare në rritje për spastrim etnik dhe gjenocid kundër palestinezëve, Kabineti i Sigurisë i Izraelit të premten miratoi planin e kryeministrit Benjamin Netanyahu për zgjerimin e operacioneve ushtarake dhe pushtimin e qytetit të Gazës.

Në nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste ndaj Netanyahut dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu po përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button