Trump dhe Erdogan premtojnë lidhje më të ngushta dhe marrëveshje tregtare

Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan u zotuan të thellojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe tregtisë gjatë bisedimeve të zhvilluara të enjten në Shtëpinë e Bardhë.
Trump tha se ai dhe Erdogani do të diskutojnë mbi blerjen nga ana e Turqisë të avionëve luftarakë amerikanë, përfshirë programet F-16 dhe F-35, si edhe mbi bashkëpunimin ekonomik.
“Do të bëjmë disa marrëveshje tregtare të shkëlqyera për të dyja vendet,” tha Trump para gazetarëve, duke shtuar se sanksionet ndaj Ankarasë për blerjen e sistemeve raketore ruse mund të hiqen “pothuajse menjëherë”.
I ulur pranë Trump në Zyrën Ovale, Erdogan tha se diskutimet do të përfshijnë një gamë të gjerë çështjesh, përfshirë shitjet e armëve.
“Po përjetojmë një proces të ndryshëm në marrëdhëniet Turqi-Amerikë,” tha ai. “Besoj se së bashku, dorë për dore, do të kapërcejmë vështirësitë në rajon.”
Trump e lavdëroi homologun e tij si “një burrë shumë të respektuar”, duke thënë se Erdogani admirohet “shumë në vendin e tij, në të gjithë Evropën dhe në mbarë botën”.
Takimi zhvillohet në sfondin e mosmarrëveshjeve të gjata mes aleatëve të NATO-s lidhur me blerjen e armatimeve, konfliktet rajonale dhe sanksionet financiare, por të dy liderët theksuan një ton pajtues, duke vënë në pah bashkëpunimin mbi përplasjet.