Tronditëse në Itali/ 35-vjeçari vritet, copëtohet dhe varroset në një kosh me gëlqere! Arrestohen partnerja dhe nëna e tij

Një ngjarje e tmerrshme u zbulua të enjten në mëngjes në Udine, në veri të Italisë , kur autoritetet zbuluan trupin e copëtuar të 35-vjeçarit Alessandro Venier në dhomën e magazinimit të shtëpisë së tij.
Krimi brutal dyshohet se është kryer nga nëna e tij dhe partnerja e tij, të cilët, sipas informacioneve nga agjencia italiane ANSA, tashmë e kanë rrëfyer fajin.
Dy gra me origjinë nga Kolumbia, telefonuan autoritetet rreth orës 10:30 të mëngjesit. Kur karabinierët mbërritën në banesën në Via dei Lotti, panë një pamje të tmerrshme, trupin e 35-vjeçarit, në gjendje dekompozimi, i cili ishte copëtuar dhe vendosur në një kosh të madh në depo, i mbuluar me shtresa gëlqereje, ndoshta për të mbuluar erën dhe për të vonuar dekompozimin.
Nëna dhe partnerja e 35-vjeçarit u shoqëruan në komisariat dhe janë marrë në pyetje për orë të tëra, ndërsa prokuroria e Udines ka marrë përsipër çështjen.
Edhe pse ato kanë pranuar përfshirjen e tyre në krim, ende nuk është sqaruar se cilat ishin motivet e tyre. Sipas mediave italiane, incidenti i paimagjinueshëm ndodhi pas një grindjeje për një çështje të parëndësishme.
Venier kishte pasur së fundmi një vajzë gjashtëmuajshe me partneren e tij, e cila është vënë nën mbrojtjen e shërbimeve sociale të bashkisë. Lajmi ka tronditur komunitetin vendas. Fqinjët thonë se janë të tronditur, pasi nëna e viktimës ishte një person shumë i dashur dhe i njohur në zonë.