Tri herë radhazi pa podium, Verstapen në momentin më të keq

Maks Vershtapen pa dy anët e med aljes në fundjavën e Belgjikës në F1, teksa pas triumfit në Sprint, holandezi nuk shkoi më shumë se vendi i katërt në garë, duke qëndruar pas dyshes së MekLarenit dhe Sharl Lëklerkut të Ferrarit. Piloti i Red Bullit e sheh luftën për titull si gjithnjë e më të largët, me një pjesë të parë të kampionatit të dominuar tërësisht ngë Oskar Piastri dhe Lando Norris.

Në eventin e fundit në Spa, Vershtapen foli për performancën, duke theksuar se rivalët janë më të shpejtë: “Sigurisht që nuk jam aty ku dua të jem, por po përpiqemi. Në Sprint patëm një rezultat pozitiv, por nuk është realist sepse jemi shumë më të ngadaltë”, u shpreh ndër të tjera katër herë kampioni i Botës.

Me tri gara radhazi jashtë podiumit, kjo është një seri negative që Vershtapen nuk e kishte përjetuar prej më shumë 6 vitesh. Rezultati i tij në Spa, së bashku me ato në Austri dhe Britaninë e Madhe, shënon fundjavën e tij të tretë radhazi jashtë tri vendeve të para. Një statistikë që piloti holandez nuk e regjistronte prej shumë sezonesh, pasi që nga Botërori 2021, kur u bë kampion për herë të parë, ai nuk kishte përfunduar asnjëherë jashtë “Top3” në më shumë se dy gara radhazi.

Madje, edhe në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar, kur performanca e Red Bullit dukej se po humbiste terren ndaj MekLarenit dhe Ferrarit, Vershtapen nuk ishte larg podiumit në më shumë se dy gara. Për të gjetur herën e fundit që kur Maks ka mbetur tri herë radhazi pa podium, duhet të kthehemi në vitin 2019. Një vend i katërt në Soçi, i ndjekur nga një dalje në jashtë në Japoni dhe një i vend i gjashtë në Meksiko Siti është precedenti më i afërt i holandezit jashtë tre të parëve. Pra, plot 6 vite e 9 muaj më parë.

Këtë fundjavë kampionati shkon në Hungari, një vend i veçantë për pilotin e Red Bullit, pasi bëhet fjalë për pistën ku ka arritur “pol position” e parë në karrierë, në vitin 2019. Me makinën e tij “RB21”, Maks do të kërkojë t’i japë fund serisë së tij të humbjeve dhe në të njëjtën kohë të zvogëlojë diferencën me Oskar Piastrin (81 pikë), liderin aktual në Botëror.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lexo gjithashtu
Close
Back to top button