Trendi dhe tradita

Shkruan: Iljasa Salihu
Trendi është një mënyrë sjelljeje që diktohet nga ata që janë në gjendje të jenë më të dukshëm, më ndikues e më me pushtet dhe pastaj përmes krijimit të trendit peshkohen lehtësisht njerëzit në dobi të një shpure njerëzish. Trendi prodhon turmën, ndikohet prej turmës dhe nxitë ndjekjen e verbër. S’do mend se pastaj turma sa shkon e rritet, aq sa njeriu i thjeshtë ndihet në siklet nëse nuk do t’i bashkangjitet kësaj turme, apo sjelljeve të ngjashme me të turmës. Në turmë arsyeja zbehet, aq sa rrezikohet të fashitet prore. Nuk pyetet pse, por vetëm ndiqet pa e shpërpushur mendimin. Kësisoj, meqenëse shumë syresh kanë filluar të përloten para kamerave, pse të mos përlotem edhe unë! Meqenëse kanë filluar të publikojnë shumëçka nga jeta e tyre private, apo nga puna e tyre e përditshme, pse të mos i publikojë edhe unë shumicën e veprimtarive dhe fotografive! Meqenëse shumë vajza e gra kanë filluar ta zbulojnë belin dhe t’i veshin pantallonat e grisura te gjunjët, pse të mos vishem edhe unë kështu e të jem në trend me kohën, përkundër se nuk shikohen gjërat në burim a në themel. Fjala vjen, po ta shohësh në burim, kjo veshje ka qenë e duhur për shërbëtoret e seksit shumë kohë më parë, pra thjesht ka qenë njëra prej uniformave të punës së tyre, paçka se kështu tani mund të vishet edhe një vajzë e ndershme, por e rënë në pezhishkën e trendit, apo e nxitur nga ndjekja e verbër e turmës. Trendi nxitë edhe mbikonsumimin dhe qytetarin e sheh si njeri që fiton vetëm për të harxhuar dhe pastaj për t’u reklamuar e assesi një pjesë të të ardhurave për ta kursyer. Një pjesë të parave e harxhon në ushqim të tepruar, pastaj për këtë teprim një pjesë tjetër e harxhon për ta djegur dhjamin dhe kaloritë e tepërta dhe përgjithësisht qytetari blenë gjësende jo pse parimisht dhe nevojshëm i duhen, por sepse rrethi i tyre është pajisur me gjësende të ngjashme.
Tradita është një shprehi, sjellje, gjurmë dhe mënyrë e të jetuarit që është krijuar kohë më parë, pastaj është kultivuar, gdhendur dhe është ruajtur deri në ditët e sotme, e cila njerëzve për raste të caktuara i ka shërbyer si udhërrëfyese. S’do mend se kishim edhe tradita të këqija, të cilat mendja e shëndoshë duhet t’i lë pa oksigjen, sidomos bestytnitë e ndryshme. Kësodore, një traditë duhet të largohet kur ndër vite është dëshmuar se ajo traditë ka prodhuar probleme dhe pështjellime të shumta. Përndryshe, largimi i një tradite që ka mundësuar mbarëvajtje familjare dhe shoqërore dhe zëvendësimi i saj me një prurje të re, do të sjellë probleme dhe pështjellime me pasoja të rënda, siç po i shohim sot. Megjithatë, shumë tradita të mira dukshëm po kërcënohen prej trendit. Fjala vjen, ishte traditë e mirë ndihma pa përmendje dhe larg syve të kamerave. Ishte traditë e mirë mbajtja e lidhjeve farefisnore dhe shtrimi i shpeshtë i drekave dhe i darkave për mysafirë. Ishte traditë e mirë mënyra se si bëheshin bashkë dy të rinj. Pyetej dhe hulumtohej gjerë e gjatë për vajzën dhe vajza po ashtu për djalin, nëse njofimet dhe lajmet ishin të mira, kërkohej dora e nusës, caktohej data e fejesës dhe e martesës pa e mbikonsumuar dashurinë përgjatë kësaj periudhe dhe për rrjedhojë shkurorëzimi ishte hata më vete, ndaj nuk ndodhte për arsye qesharake siç rëndom ndodhë sot. Ishte traditë e mirë shkuarja diku mysafir, qëndrimi si mysafir dhe përqendrimi në biseda që zhvilloheshin brenda dhomës dhe jo si sot që vështirë është t’i bësh dy llafe për shkak të pranisë së telefonave të mençur, të cilët njeriut nuk i ndahen askund, madje as në nevojtore. Paramendojeni, ti mundohesh të shkruash diçka të urtë e të mençur, kurse shkrimi të lexohet në nevojtore, ose bashkëbisedon me njeriun që është në gjendje shumë intime po në nevojtore. Për më keq, edhe fjalët e shenjta mund të lexohen në nevojtore, ngaqë telefonat e mençur një gjë të tillë jua mundësojnë “idiotëve bashkëkohor”, të cilët edhe pse këmbë e krye kanë rënë pre e trendit, nuk janë në gjendje ta kuptojnë dhe të paktën ta hedhin ndonjë hap drejt daljes nga kjo greminë e pështirë.
Për rrjedhojë, trendit krejtësisht nuk mund t’i shmangemi, por detyrimisht duhet ta mendojmë dhe t’i mendojmë disa punë që trendi na ka trajtësuar në ndjekës të verbër dhe patjetër t’i ringjallim traditat e mira, pavarësisht kohës dhe rrethanave, të cilat na kanë mundësuar të funksionojmë si është më së miri dhe arsyeshëm të mburremi si popull para popujve tjerë.



