Tregjet europiane në rënie pas njoftimit të Trump për tarifa doganore, ari arrin çmimin më të lartë në histori

Bursat kryesore europiane kanë nisur javën me rënie, duke vijuar trendin negativ të nisur që prej njoftimit të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave doganore ndaj Groenlandës.
Trump deklaroi se nga 1 shkurti, Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Holanda dhe Finlanda, vende që kanë dërguar trupa në ishull, do të përballen me tarifa doganore prej 10%.
Në Evropë, shqyrtohet tani mundësia e pezullimit të marrëveshjes së vitit të kaluar me Uashingtonin, e cila ende duhet ratifikuar nga Parlamenti Europian. Një luftë e mundshme tregtare me SHBA-në ka shtuar nervozizmin në tregje. Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se kërcënimet e Trump janë “të papranueshme” dhe po punon për të koordinuar një përgjigje europiane përmes Instrumentit të Bashkimit Evropian kundër presioneve.
Tensionet vijnë ndërkohë që në Davos çelet Forumi Ekonomik Botëror, duke shtuar pasiguri në tregje. Bursa e Parisit u hap me -1,5%, Frankfurti me -1,4%, Madridi me -0,9%, dhe Londra me -0,6%. Sektorët më të goditur janë ai i automobilëve, mallrave të luksit dhe teknologjisë.
Ekspertët tregojnë se investitorët po orientohen drejt aseteve të sigurta, si metalet e çmuara, ku ari dhe argjendi kanë arritur nivele rekord pas një hovi të fortë javën e kaluar.
Tregjet europiane po përballen kështu me një kombinim sfidash: tensionet diplomatike, pasiguria për marrëveshjet tregtare dhe pritshmëritë për reagime të koordinuara nga Brukseli, që pritet të ndikojnë në zhvillimet e ditëve në vijim.



