Tregjet amerikane tronditen nga përplasja e ashpër mes Trump dhe kreut të Fed

Aksionet amerikane dhe dollari ranë ndjeshëm këtë të martë pas përplasjes së ashpër që Presidenti Donald Trump pati me kreun e Rezervës Federale në SHBA, Jerome Powell.
Trump e kritikoi kreun e Fed për refuzimin që i bëri kërkesës për të ulur normat e interesit. Në një deklaratë të ashpër në rrjetet sociale, Trump e quajti Powell “një dështak” dhe e akuzoi për vonesa në reagimin ndaj zhvillimeve ekonomike.
Presidenti amerikan kërkoi një ulje “parandaluese” të normave të interesit për të nxitur ekonominë, duke paralajmëruar për një ngadalësim të mundshëm nëse Poëell nuk vepron menjëherë.
“Mund të ketë një ngadalësim të ekonomisë nëse ai nuk ul normat e interesit, tani,” shkroi Trump.
Komentet vijnë në një moment delikat për tregjet globale, ndërsa politikat tregtare të Trump, përfshirë tarifat e reja, kanë rritur frikën për një recesion të mundshëm në SHBA. Përplasja e hapur me Powell, të cilin vetë Trump e emëroi në krye të bankës qendrore, ka rritur më tej pasiguritë në tregjet financiare.
Treguesit kryesorë të bursës amerikane pësuan humbje të ndjeshme të hënën. Indeksi S&P 500 ra me 2.4%, duke çuar humbjet vjetore në rreth 12%. Ndërkohë, Dow Jones Industrial humbi gjithashtu 2.4%, ndërsa Nasdaq u ul me më shumë se 2.5%, duke e çuar rënien e tij që nga janari në rreth 18%.
Tregjet në Azi-Paqësor u ulën gjithashtu, me Nikkei 225 në Japoni që ra me 0.1% dhe ASX 200 në Australi që ra me 0.3%. Ndërkohë, Hang Seng në Hong Kong shënoi një rritje modeste prej 0.3%.
Në Evropë, FTSE 100 në Britani ra me 0.05%, ndërsa treguesit DAX në Gjermani dhe CAC në Francë shënuan rënie prej 0.5% dhe 0.6%, respektivisht.
Edhe pse zakonisht konsiderohen si asete të sigurta, dollari amerikan dhe obligacionet e qeverisë nuk i shpëtuan luhatjeve të fundit. Indeksi i dollarit, që mat vlerën e tij kundrejt një grupi monedhash të mëdha, ra në nivelin më të ulët që nga viti 2022.
Ndërkohë, normat e interesit për obligacionet shtetërore amerikane u rritën të martën, pasi investitorët kërkuan kthime më të larta për të kompensuar rrezikun.
Si përgjigje ndaj pasigurisë në tregje, investitorët u drejtuan drejt arit, duke çuar çmimin e tij në një rekord historik prej 3,500 dollarësh për onz. Ari historikisht është parë si një “strehë e sigurt” gjatë periudhave të pasigurta ekonomike.
Përplasjet mes Trump dhe Powell nuk janë të reja. Presidenti amerikan ka shprehur vazhdimisht pakënaqësi ndaj politikave të kreut të Fed që nga fillimi i mandatit të tij, madje më herët është raportuar se ai ka shqyrtuar edhe mundësinë e shkarkimit të tij, një veprim i diskutueshëm si politikisht, ashtu edhe ligjërisht.
Javën e kaluar, Trump kërkoi hapur largimin e Powell. Powell, nga ana e tij, ka paralajmëruar se tarifat e vendosura nga administrata Trump mund të rrisin çmimet dhe të ngadalësojnë ekonominë amerikane, një paralajmërim që, duket, ka rritur më tej tensionet.
Komentet e fundit të Trump vijnë në prag të takimeve pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në Uashington. Ekspertë si prof. Christopher Meissner nga Universiteti i Kalifornisë theksojnë se pavarësia e bankës qendrore ka qenë kyçe për stabilitetin ekonomik në dekadat e fundit.
FMN pritet të publikojë së shpejti parashikimet e saj më të fundit për rritjen ekonomike, të cilat, sipas njoftimeve paraprake, do të përfshijnë “ulje të dukshme” për disa prej ekonomive kryesore.
“Kur SHBA teshtinte, pjesa tjetër e botës ftohej”, tha prof. Meissner. “Dhe duket se një skenar i tillë mund të jetë pranë rikthimit.”