Tre shtetas të Maqedonisë të lënduar nga përleshja masive në Zvicër

Një incident i dhunshëm ka ndodhur dy ditë më parë në Zvicër, në kantonin Thurgau, përcjell TV21. Sipas raportimeve nga mediat zvicerane, shtatë persona janë lënduar në një përleshje fizike masive mes dy grupeve, ku tre shtetas të Maqedonisë kanë marrë lëndime të rënda trupore.

Sipas informacioneve zyrtare nga Policia Kantonale e Thurgaut, incidenti ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit në një objekt hotelierik. Përplasja verbale mes dy grupeve ka eskaluar shpejt në dhunë fizike, duke bërë të nevojshme ndërhyrjen e menjëhershme të disa patrullave policore për ta qetësuar situatën.

Raportohet se në përleshje kanë marrë pjesë qytetarë nga disa shtete, por shtetasit e Maqedonisë kanë marrë lëndime serioze, dhe ata është dashur të hospitalizohen.

Tre shtetas të Maqedonisë së Veriut– dy të moshës 41 vjeç dhe një 43-vjeçar – janë transportuar me autoambulancë në spitalin më të afërt.

Përveç të hospitalizuarve, ndihmë mjekësore në vendin e ngjarjes u është ofruar edhe katër personave të tjerë që kanë pësuar lëndime të lehta, një shtetas i Kosovës 54-vjeçar, një shtetas i Shqipërisë 35-vjeçar dhe dy shtetas zviceranë, të moshës 40 dhe 27 vjeç.

Dy persona të tjerë gjithashtu kanë marrë pjesë në incident dhe, fatmirësisht, nuk kanë pësuar lëndime – një zviceran 52-vjeçar dhe një burrë 48-vjeçar me origjinë nga Maqedonia.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button