Trashëgimia politike e Nolit në Shqipërinë e poskomunizmit

Ndryshe me shumë personazhe të paraluftës, Noli nuk u retushua në veprimtarinë e tij në fushën e kulturës. Veprat e tij letrare dhe sidomos përkthimet e klasikëve qarkullonin mes lexuesve. Që nga bankat e shkollave e deri në auditore promovohej veprimtaria letrare dhe kulturore e Nolit. Një figurë që kishte kaq familjaritet në publik ishte e lehtë që të ripromovohej edhe në dimensionin politik.
Elton HATIBI, Tiranë
Në vitin 1993, një vit pas ndryshimit të regjimit qeverisës në Shqipëri, Tiranën e vizitoi trashëgimtari i fronit mbretëror shqiptar, Leka I Zogu. I larguar nga atdheu vetëm pak ditësh në moshë, Leka I shkelte për herë të parë në Shqipërinë postkomuniste, pasi vendi kishte kaluar dy regjime totalitare, pushtimin fashist dhe diktaturën komuniste. I rritur dhe i formuar pranë qarqeve të mbështetësve të monarkisë dhe nën trysninë mbytëse të mbavëmendjes dhe ruajtjes nga njerëzit e regjimit komunist, Leka I mbërriti në Tiranë me bindjen se fati kishte mbërritur në pragun e portës së tij. Por, përpjekja e tij, më shumë simbolike sesa realiste, u konsumua në harkun e pak orëve. Në derën e dhomës së hotelit ku pretendenti i fronit kishte bujtur trokiti një funksionar i lartë i regjimit të ri demokratik, që i komunikoi mysafirit të veçantë se ishte i padëshiruar në Shqipëri. U tha se shkak për përzënien u bë pasaporta e vizitorit, në kapakun e së cilës shkruhej “Mbretëria Shqiptare”. Në fuqi ishin vendimet e ndërmarra nga komunistët qysh gjatë luftës, që pengonin kthimin e familjes mbretërore në Shqipëri. Republika demokratike nuk mund të pranonte një dokument që mishëronte një epokë dhe ligjësi të tjera. Në këtë ngërç juridiko-politik, regjimi i ri demokratik zgjodhi t’i qëndronte luajal frymës së ligjit, në dëm të një padrejtësie historike që penalizonte një nga figurat qendrore të rezistencës ndaj komunizmit. Dhe, për të përzënë “monarkun”, regjimi i ri demokratik antikomunist, simbolikisht përzgjodhi një funksionar të lartë të sigurisë që shkallët e karrierës i kishte ngjitur gjatë dekadës së fundit të regjimit komunist.
Një vit pas këtij incidenti të shëmtuar, në pranverën e 1994, autoritetet festuan me madhështi 70-vjetorin e “Revolucionit të Qershorit”, ngjarjeve dramatike që mbollën për herë të parë në trupin politik shqiptar dhunë dhe ndasi serioze. Pas një gjysmë shekulli nën regjimin e së majtës ekstreme, regjimi i ri demokratik, që supozohej se kishte rrëzuar komunizmin, aq më tepër në mënyrë paqësore, celebronte me fanfara një ngjarje historike me një legjitimitet të cunguar politik. Në thelb, një trupë politike, që kryesisht kishte në një mënyrë a një tjetër lidhje gjenealogjike me ish-regjimin dhe, mbi të gjitha, formimin e saj politik dhe kulturor e kishte mbi substratin ideologjik të komunizmit, ishte natyrshëm e prirur që të ndriçonte këtë ngjarje të rëndësishme historike. Ishte e nevojshme që të shpikej një vazhdimësi politike që anashkalonte formalisht komunizmin. Gjithashtu riafirmohej edhe një herë natyra republikane e regjimit të ri, nga rreziku i ringjalljes së ndonjë tendence monarkiste në gjirin e regjimit të ri demokratik.
Në ngjarjet tragjike të shkurtit ’91, ditë që shënuan rrëzimin e shtatores së Enver Hoxhës në qendër të Tiranës, eksponentë të “revolucionit demokratik antikomunist” penguan një përballje dramatike mes qytetarëve të shumtë të kryeqytetit me forcat e sigurisë së regjimit në agoninë vdekjeprurëse. Kjo ndodhi, dhe të tjera më minore, shënuan dhe një superioritet moral dhe bërthamë trashëgimie potenciale, për të dëshmuar se komunizmi u përmbys me burrëri dhe mençuri, pa pasur nevojë të përdorej dhuna. Pak vjet më pas përkujtohej një ngjarje që në thelbin e saj kishte parapolitiken, atentatet gjakësore ndaj kundërshtarëve politikë. Aq më tepër që kjo ngjarje ishte një nga gurët themeltarë të propagandës së regjimit të përmbysur komunist. Pikërisht ky ishte dhe mesazhi: shumë gjëra kanë ndryshuar, por themelet do të qëndrojnë, pikërisht, për t’i forcuar ato, duhen bërë disa ndryshime.
Në këtë përvjetor jubilar u organizuan konferenca shkencore dhe të tjera që përfshinë simbolikën e pranisë së autoriteteve, si një prani legjitimimi politik të trashëgimisë së revolucionit. Me këto evente, indirekt rehabilitohej dhe trashëgimia politike e regjimit komunist, përderisa synimet e parealizuara gjatë revolucionit të ’24, u realizuan nga komunistët shqiptarë pas Luftë së Dytë Botërore. Përmbysja e klasës politiko-ekonomike, reforma agrare, në thelb shpronësuese etj., u ndërmorën gjatë komunizmit si themele garantuese për eksperimentin social, gjatë një gjysmë shekulli që pasoi. Retorika e këtij përvjetori mbështetej pikërisht te termat e njëjtë që gjenin një eko më militante gjatë komunizmit.
Do të kishte disi kuptim nëse kujtohej veçmas figura e Nolit, si një prej politikanëve të kësaj periudhe historike, si një politikan me bindje të majta, që u përpoq në një mënyre radikale të ndryshonte vendin, duke theksuar specifikisht kontekstin e kohës që nxiste idetë dhe praktikat e dhunshme. Fakti që kjo ngjarje dhe figura qendrore e saj të glorifikuara nga regjimi komunist përkujtoheshin zyrtarisht, e kompromentoi mjaftueshëm te mbështetësit e së djathtës antikomuniste legjitimitetin e pushtetit të ri demokratik të poskomunizmit. Dhe, një goditje të fortë regjimi demokratik e mori po në të njëjtin vit – qeveria e humbi referendumin popullor për miratimin e kushtetutës së parë të paskomunizmit. Një dorë të mirë kësaj shuplake poshtëruese ia dha pikërisht kjo bazë mbështetësish, që dalëngadalë po ndihej e papërfaqësuar. Kjo bazë politike kërkonte që të zhbëhej trashëgimia e komunizmit, sidomos në rikthimin e pronave të konfiskuara dhe në rehabilitimin e të persekutuarve politikë. Por, regjimi i ri demokratik, me glorifikimin e një revolucioni të majtë të dështuar, simbolikisht u komunikoi shqiptarëve se baza e trashëgimisë së komunizmit nuk preket. Kjo fashë social-politike e margjinalizuar, që nuk identifikohej me simbolikat e kësaj trashëgimie të së majtës dhe rrjedhojave aktuale politike që ajo prodhonte, u shndërrua kështu në një segment gjithnjë e më të papërfaqësuar brenda elektoratit të djathtë. Ëndrra utopike për një restaurim të së djathtës historike përfundoi nën prozhektorët dhe altoparlantët e celebrimit të revolucionit.
Një lehtësi e madhe për këtë transplantim ideologjik brenda së djathtës vinte nga fakti se figura e Nolit ishte një figurë e mirënjohur për publikun shqiptar. Ndryshe me shumë personazhe të paraluftës, Noli nuk u retushua në veprimtarinë e tij në fushën e kulturës. Veprat e tij letrare dhe sidomos përkthimet e klasikëve qarkullonin mes lexuesve. Që nga bankat e shkollave e deri në auditore promovohej veprimtaria letrare dhe kulturore e Nolit. Një figurë që kishte kaq familjaritet në publik ishte e lehtë që të ripromovohej edhe në dimensionin politik. Një lehtësi tjetër për të promovuar një ngjarje politike të së majtës vinte dhe ngaqë Noli ishte antagonist me një figurë mjaft të demonizuar si Ahmet Zogu. Figura e Zogut ende ishte tabu për të pasur shansin për t’u rehabilituar në një shoqëri që nuk dinte pothuajse asgjë për të. Për më tepër, ai ishte ekspozuar gjatë regjimit komunist si mishërimi më i plotë i dekadencës dhe korruptimit politik modern në Shqipëri. Një autokrat i korruptuar nga klasa sunduese tradicionale, me fillesa në epokën osmane, në pazare me fqinjët dhe me fashizmin, nuk ishte aspak i krahasueshëm me një studiues, teolog dhe përkthyes të apasionuar, që u pengua të transformonte Shqipërinë.
Megjithatë, një aspekt thelbësor i trashëgimisë së tij politike u anashkalua dhe dalëngadalë u shkërmoq në Shqipëri. Fan Noli ishte nismëtari dhe materializuesi i autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare. Përpjekjet e tij, që nisën në SHBA, së bashku me ato të shumë patriotëve të tjerë, u kurorëzuan me krijimin e këtij entiteti të pavarur shqiptar. Krijimi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare u realizua pararelisht me përpjekjet e ngjashme nga myslimanët shqiptarë dhe nga tarikati bektashi. Momenti i kombformimit te shqiptarët e parashihte dhe krijimin e strukturave fetare kombëtare për të minimizuar ose zhdukur ndikimin nga të huajt. Në këtë kontekst, krijimi i Kishës Ortodokse Autoqefale ishte ndër më të rëndësishmet në këtë proces. Në jug të vendit ndikimi i Kishës Greke shihej si një kërcënim për kohezionin e kombit, andaj kontributi dhe trashëgimia e peshkop Nolit është e një rëndësie historike.
Për shkak të ndalimit të besimit fetar gjatë regjimit komunist, ky kontribut i Nolit nuk propagandohej në atë kohë. Publiku dinte diçka të vagullt rreth këtij kontributi, nga një personazh i mirënjohur si autor dhe përkthyes. Ndalimi i fesë, në përgjithësi, i kishte okultuar shqiptarët nga teologjia, historia e feve dhe nga çdo gjë që lidhej me fetaren. Edhe qenia e Nolit peshkop ose njeri i fesë, në kontekstin ideologjik të komunizmit perceptohej si i tejkaluar. Përse duhej konsideruar kontribut diçka si organizimi komunitar fetar, që i përkiste sferës së mbinatyrshmes dhe reaksionit, dhe që tashmë ishte superuar?!
Me rrëzimin e regjimit komunist, i erdhi radha dhe lirisë së besimit, si një nga liritë themelore të njeriut. Në Shqipërinë e vitit ’91 u rihapën në mënyrë rekorde shumë objekte kulti të të gjitha feve, në një garë për të plotësuar lirinë e munguar. Me lirinë e besimit nevojitej me urgjencë riorganizimi i komuniteteve fetare që kishin pësuar një goditje shkatërruese në komunizëm. Me ndalimin e fesë dhe me futjen e shumë klerikëve nëpër burgje, si dhe me ndërprerjen e shkollimit në kolegjet fetare, gjendja e këtyre komuniteteve në aspektin e burimeve njerëzore ishte dramatike. Pikërisht duke shfrytëzuar këtë boshllëk, për të riorganizuar Kishën Ortodokse, në këtë periudhë erdhi në Shqipëri Anastas Janullatos, një klerik dhe teolog, i cili më pas do të zgjidhej kryepeshkop. Zgjedhja e tij në krye të Kishës Ortodokse nuk kaloi pa kundërshtime dhe polemika. Duke qenë se ai vinte nga Greqia, për shumë ortodoksë, por edhe për një pjesë të shoqërisë, peshkopi i ri shihej si një kërcënim për autoqefalinë e kishës. Shqipëria e varfër dhe e rraskapitur e poskomunizmit ishte nën trysninë e fqinjit të fuqishëm jugor. Prania e një kleriku të huaj, i ardhur nga një shtet me një histori konfliktesh dhe rivendikimesh territoriale me Shqipërinë, përligjte frikën e qarqeve nacionaliste ortodokse dhe më gjerë. Ikona për këtë kundërshti u shndërrua pikërisht figura e Nolit. Ai e kishte staturën për t’iu kundërvënë simbolikisht një autoriteti fetar të huaj.
Edhe shtetarët shqiptarë bënë sikur e kundërshtuan vendosjen e Kishës Ortodokse nën autoritetin e një kleriku të huaj. Megjithatë, ata u dorëzuan përpara presionit të shtetit grek, që përdorte kryesisht politikën e përzënies së emigrantëve shqiptarë si mjet presioni për qeverinë shqiptare. Mes presionit politik dhe diplomatik të fqinjit dhe interesit kombëtar të një shteti me karakter etatist, edhe me komunitetet fetare, autoritetet zgjodhën një rrugë kapitullimi. Edhe pse ne fillim e sulmuan dhe u përpoqën për ta penguar, faktikisht e toleronin praninë dhe veprimtarinë e klerikut grek, gjë që do të sillte një normalizim gradual të kësaj gjendjeje të re. Me kalimin e kohës, autoriteti i kryepeshkop Anastasit u konsolidua në komunitetin e besimtarëve, për të mbetur aty-këtu disa xhepa rezistence të papërfillshëm. Figura e Nolit nuk arriti të frymëzojë dhe të mobilizojë sa duhet brenda këtij komuniteti, për të ringjallur një trashëgimi autentike shqiptare dhe për të nisur një rrugëtim të ri komunitar. Rrënimi shpirtëror, si trashëgimi e komunizmit, dhe ndikimi përmes emigrimit në shtetin helen, ishin më thelbësore sa liturgjia e shqipëruar dhe memoria e së shkuarës së para komunizmit.
Nga dy veprimtaritë trashëgimore të Fan Nolit, në poskomunizëm triumfoi politikja, ajo ku ai kishte shumë pak sukses, dhe u zhbë fetarja, aty ku ai kontribuoi dhe që u konsolidua më tej në disa dhjetëvjeçarë. Peripecia e tij politike në ngjarjet e grushtit të shtetit, që njihet si “Revolucioni Demokratik i Qershorit”, i vitit 1924, është një moment dramatik, i cili nuk duhet veneruar si një fenomen pozitiv politik. Rrëzimi i qeverisë me dhunë në rrethanat politike të asaj kohe u glorifikua nga komunistët, të cilët bënë të njëjtën gjë, duke e pasuruar aktin e tyre me një banjo gjaku. Në një regjim demokratik është absurde të celebrosh ngjarje të dhunshme politike. Do të duhej një sforcim amoral për të akomoduar të tilla ngjarje dhe filozofi në dialektiken e sotme demokratike. Sakaq, trashëgimia tjetër e tij politike, që shtrihet në rrafshin fetar, sa nga mpirja dhe kapitullimi i autoriteteve, gjithashtu nga gërmadha shpirtërore e komunizmit, u nëpërkëmb dhe u harrua nga vetë bashkësia e besimtarëve ortodoksë. Dinamizmi i ndikimit helen dhe hapja e Shqipërisë me botën favorizoi gjithashtu në këtë zhbërje të trashëgimisë së Nolit. Në këtë rast, siç pothuajse gjithherë ndodh, politikja triumfoi ndaj shpirtërores.