Transportuesit privatë do të rikthehen në qarkullim të hënën në mëngjes

Të hënën në mëngjes rikthehen transportuesit privatë për të ndihmuar në tejkalimin e kaosit me transportin publik të krijuar tashmë disa muaj. Mirëpo, siç theksuan, rikthimi i tyre në qarkullim është vetëm për disa ditë dhe në bazë të mjeteve financiare që kanë në dispozicion.

“Transportuesit privat shërbejnë në 16 linja. Ata transportues të cilët kanë mundësi, që kanë mjete financiare do të dalin dhe do të ndihmojnë që nga orët e mëngjesit me aq sa mundemi. Bëhet fjalë për disa ditë dhe jo më shumë”, tha Jovica Zafirovski, transportues privat.

Transportuesit privatë apeluan drejtuesit e Qytetit të Shkupit, këshilltarët dhe Qeverinë që në mbledhje të përbashkët të gjejnë zgjidhje të pranueshme për kërkesën e tyre për rritje të çmimit për kilometër. Në të kundërtën, transportuesit privatë thanë se rrezikojnë të mbesin pa shoferë për shkak të pagave të ulëta.

“Presim që çmimi për kilometër të rritet aq sa është rritur inflacioni, 40 %. Ne, momentalisht punojmë për paga të para 10 vjetësh kur paga minimale ishte 8.400 denarë. Paga e shoferit arrin 20 mijë denarë, kush punon sot për 20 mijë denarë, prandaj të gjithë shoferët ikin jashtë vendit si nga NQP-ja ashtu edhe nga transportuesit privat. Si t’i kthejmë, si t’i mbajmë këtu, patjetër t’u rritet paga”, tha Vllatko Todorovski, transportues privat.

Transportuesit privatë thanë se kanë në dispozicion 200 autobusë të cilët mund të mbulojnë mungesën e autobusëve në NQP, në rast se gjendet një zgjidhje e pranueshme. Problemi me transportin publik të qytetit kulmoi të enjten pasi, për shkak të mungesës së naftës, shumica e autobusëve të NQP-së mbetën të parkuar në stacionet e tyre. Në qarkullim ishin 25 autobusë me gaz natyror dhe disa të tjerë që kishin rezervë nafte. /Alsat.mk/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button