Transformimi i rolit të letërsisë nën sfondin politiko-historik të shoqërisë shqiptare
Ndikimi tradicional i shkrimtarëve në opinionin publik dhe identitetin kombëtar është reduktuar ndjeshëm, teksa sfidat që sjell globalizmi e kanë transformuar dhe rikompozuar peizazhin e letërsisë shqipe. Ky shkrim synon të shqyrtojë raportin e letërsisë me kontekstin politiko-historik në Shqipëri, sfidat e saj aktuale, si dhe të ardhmen e mundshme të letërsisë shqipe.
Lulzim HOXHA, Tiranë
Letërsia ka luajtur prej kohësh një rol të rëndësishëm në formësimin e identitetit, vetëdijes shoqërore dhe zhvillimit social-kulturor të kombeve. Kjo është veçanërisht e vërtetë për rastin e Shqipërisë, ku shkrimtarët kanë qenë historikisht figura qendrore në Rilindjen Kombëtare, por edhe në rezistencën kulturore, lëvizjen për pavarësi, monopolin kulturor të Realizmit Socialist dhe periudhën e tranzicionit. Nga Rilindja Kombëtare e deri në epokën e realizmit socialist e më gjerë, letërsia ka qenë një domen ku jo vetëm janë reflektuar ndryshimet shoqërore e politike, por ajo njëherësh ka shërbyer si një pikëtakimi mes shoqërisë dhe ideologjisë shtetërore, masave dhe pushtetit, shtetasve dhe kulturës kombëtare, natyrisht nën sfondin e një ndërveprimi, në dukje neutral e krejt spontan, midis lexuesit dhe narrativave të shoqërisë ku ai bën pjesë. Megjithatë, në botën e sotme të globalizuar, roli i letërsisë duket se po ndryshon. Ndikimi tradicional i shkrimtarëve në opinionin publik dhe identitetin kombëtar është reduktuar ndjeshëm, teksa sfidat që sjell globalizmi e kanë transformuar dhe rikompozuar peizazhin e letërsisë shqipe. Ky shkrim synon të shqyrtojë raportin e letërsisë me kontekstin politiko-historik në Shqipëri, sfidat e saj aktuale, si dhe të ardhmen e mundshme të letërsisë shqipe. Kjo trajtesë do të analizohet duke vëzhguar rolin e letërsisë në kontekste të ndryshme politiko-historike të shoqërisë shqiptare.
Letërsia shqiptare në periudhën e Rilindjes Kombëtare dhe ndërmjet luftërave botërore
Roli historik i letërsisë në formimin e identitetit kolektiv shqiptar është i rrënjosur thellë në luftën për rezistencë shoqërore dhe ruajtjen e tipareve kulturore të shqiptarëve dhe që do të përdoreshin si lëndë e parë nga lëvizjet nacionaliste në pavarësinë nga Perandoria Osmane. Gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare të shekullit të 19-të, letërsia u bë mjeti kryesor në përçimin e aspiratave kombëtare dhe përfytyrimit mbi kombin. Shkrimtarë si Naim Frashëri, Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jeronim De Rada e shumë të tjerë, përmes veprave të tyre letrare, kanë synuar të transmetojnë te shqipfolësit përfytyrime të caktuara mbi vetëdijen kombëtare, kulturën, normat dhe vlerat e popullit shqiptar. Letërsia e kësaj periudhe më tepër sesa si gjini artistike shërben si një mjet i fuqishëm për mobilizim politik dhe shoqëror. Veçanërisht veprat e Naim Frashërit si Istori e Skëndërbeut, Bagëti e Bujqësi, apo Beteja e Qerbelasë, shpërfaqin në mënyrë të theksuar përsiatje mbi idenë e kombit, revoltën ndaj tiranisë dhe bashkimin e popullsisë në një kauzë të përbashkët. Librat e tij jo vetëm që ndihmuan në nxitjen e sensit kolektiv të përkatësisë, por gjithashtu vendosën themelet e letërsisë shqiptare, duke frymëzuar ndjenjën e patriotizmit përmes vargjesh poetike dhe epikash, çka përfaqëson përpjekjet e para në historinë e letërsisë shqipe në krijimin e një filozofie të identitetit shqiptar.
Periudha midis luftërave u shënua nga ndryshime të thella shoqërore dhe politike, pasi Shqipëria kaloi nga shteti Osman në një shtet të ri të pavarur. Letërsia e kësaj epoke pasqyron tensionet shoqërore të modernizmit, shtetformimit dhe nismat e një kombi në përpjekje të përcaktimit të vetes. Temat e përbashkëta në letërsinë e kësaj periudhe përfshijnë pabarazitë shoqërore, varfërinë, traditën përballë modernitetit dhe sfidat e një identiteti kombëtar koheziv në një botë që po ndryshon. Prirja e një letërsie të ngarkuar politikisht vijon edhe në këtë periudhë me autorë si Faik Konica dhe Migjeni, të cilët në veprat e tyre i kritikojnë haptazi strukturat shoqërore dhe politike të kohës së tyre, duke mbështetur idetë e progresit dhe modernizmit europian. Nga ana tjetër, risia e kësaj periudhe është se për herë të parë në letërsinë e këtyre autorëve shfaqen personazhet e margjinalizuara të shoqërisë shqiptare si dhe ata të rinj shqiptarë të ardhur nga vendet e Perëndimit, të cilët janë të pafuqishëm për ta ndryshuar mendësinë e prapambetur të njerëzve në Shqipëri. Periudha midis luftërave e theksoi edhe më tej fuqinë e letërsisë në formësimin e ligjërimit mbi kombin. Shkrimtarë si Ernest Koliqi, Martin Camaj e Lasgush Poradeci, duke u fokusuar më tepër në tema artistike e kulturore, vazhduan të luajnë një rol me rëndësi në promovimin e identitetit kombëtar shqiptar, veçse ndryshe nga autorët e Rilindjes Kombëtare, ata u përqendruan më shumë në kompleksitetet e shoqërisë shqiptare, tensionin midis traditës dhe modernitetit ose sfidat për një shtet të ri modern. Dyzimi mes traditës dhe modernes është veçanërisht i pranishëm në letërsinë e kësaj periudhe, sidomos në veprat e Konicës, Kutelit dhe Koliqit. Reflektimi në letërsi i këtij tensioni shoqëror në fakt pasqyron debatet më të mëdha kombëtare mbi mënyrën se si Shqipëria duhet ta përkufizojë veten në botën moderne. Gjithashtu, në letërsinë e këtyre viteve shfaqet për herë të parë zhanri i shkrimeve satirike (ku spikasin sidomos në veprat e Konicës dhe Fishtës), të cilat dallojnë për kritikat ndaj mangësive të sistemit politik shqiptar. Prirjet e politikës shqiptare, shpeshherë të karakterizuar nga korrupsioni, nepotizmi dhe autoritarizmi u kthyen në një objekt karikature në romanet dhe shkrimet e Konicës si dhe në prozën e poezitë e Fishtës, duke nënvizuar edhe njëherë potencialin kritik dhe progresiv të letërsisë gjatë kësaj kohe. Mirëpo, këto tipare do të zhbëheshin me ardhjen në pushtet të regjimit komunist, ku letërsia do të ndërmerrte një funksion krejt të ri.
Letërsia e Realizmit Socialist dhe letërsia në tranzicion
Realizmi socialist do të kthehej në stilin zyrtar letrar të shtetit shqiptar, ku shkrimtarët u ngarkuan të krijonin vepra që përkonin me kërkesat ideologjike të shtetit. Kësisoj letërsia nën regjimin e Enver Hoxhes do të transformohej në një mjet për edukimin e masave dhe përforcimin e vlerave të shtetit socialist. Nga misioni nacionalist i letërsisë së Rilindjes Kombëtare, që përqendrohej në rezistencën e veçorive kulturore shqiptare dhe më vonë evidentimi i tipareve të një letërsie kritike të periudhës ndërmjet luftërave, tashmë letërsia vihet në kontrollin e plotë të shtetit, ku mbizotëron figura e punëtorit, heronjve të kombit dhe socializmit dhe ajo e armikut të klasës dhe tradhtarit të atdheut. Përgjatë regjimit komunist, letërsia pati një përhapje shumë më të gjerë, sepse ndryshe nga sistemet politike të mëparshme, gjatë kësaj periudhe shteti ushtronte një kontroll shumë më të plotë në administrimin e dijes dhe kulturës në shoqëri. Për më tepër, lufta ndaj analfabetizmit dhe ndërtimi i shkollave shqipe dhe universiteteve në çdo pjesë të vendit solli që shkrimtarë, si Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Fatos Kongoli, të lexoheshin nga një masë më e gjerë njerëzish. Ndërkohë autorë që devijuan nga normat e vendosura nga Partia, si Musine Kokalari dhe Kasem Trebeshina, u persekutuan, u burgosën ose u detyruan të heshtin. Shkrimtarët që nuk respektonin direktivat e Partisë rrezikonin jo vetëm karrierën e tyre, por edhe jetën e tyre personale. Sikurse në dy periudhat e mëparshme, edhe letërsia e regjimit komunist është e ngarkuar me mesazhe politike të kohës, ndonëse në dallim nga periudhat e mëparshme, sloganet politike, mesazhet e drejtpërdrejta për mbështetjen e regjimit dhe portretizimet e idealizuara të realitetit socialist dukshëm dominojnë ndër subjektet letrare. Krijimet që glorifikojnë figurën e fshatarit dhe partizanit u bënë normë, ndërsa tematika të tjera si psikologjia e personazheve apo kritika shoqërore, ishin të ndaluara. Realizmi socialist përfaqësonte një realitet të deformuar, duke fshehur vështirësitë ekonomike dhe represionin politik të regjimit. Megjithatë, edhe në këtë mjedis represiv, disa shkrimtarë arritën të përdorin letërsinë si një formë të rezistencës së heshtur. Kështu, për shembull, Ismail Kadare arriti që përmes alegorive, simboleve dhe metaforave, të paraqesë elemente të njëfarë kritike ndaj regjimit, sidomos në romanin e tij distopik Pallati i Ëndrrave. Krijimtaria e tij shpesh shihej si një mënyrë për të artikuluar mosmarrëveshjen ndaj shtypjes, ndërsa mbante një ekuilibër të rrezikshëm midis përshtatjes dhe rebelimit.
Pas rënies së regjimit komunist në vitin 1991, letërsia shqiptare u gjend përballë një periudhe të re të lirisë së shprehjes, por edhe të sfidave të mëdha. Për herë të parë pas dekadash të censurës, shkrimtarët mund të eksploronin tema të ndaluara më parë, si identiteti individual, trauma e së kaluarës, identiteti gjinor dhe sfidat e tranzicionit demokratik. Një ndër ndryshimet më të mëdha ishte zhvendosja e theksit nga kolektivi drejt individit. Letërsia e tranzicionit nisi të eksplorojë përvojat personale dhe psikologjike të individit, duke e larguar vëmendjen nga figura e heroit socialist dhe duke u përqendruar te realitetet e vështira të jetës së përditshme në një shoqëri në ndryshim. Për shembull, autorë si Fatos Lubonja dhe Bashkim Shehu kanë trajtuar traumën e burgjeve politike dhe përvojën e tyre personale nën regjimin komunist, duke ofruar një zë të ri për ata që u heshtën gjatë regjimit. Ndërkohë, liria e shprehjes solli edhe sfida të reja. Letërsia u përball me mungesën e infrastrukturës së duhur, krizën e lexueshmërisë dhe konkurrencën me mediat e reja. Në këtë kontekst, shumë autorë u përballën me presionin për të mbijetuar financiarisht, ndërsa tregu i ri i botimeve ishte i brishtë dhe i paqëndrueshëm.
Sfidat e letërsisë shqiptare në periudhën globale
Gjatë dekadës së fundit, roli i shkrimtarit në shoqëri ka ndryshuar rrënjësisht krahasuar me periudhën komuniste. Në kohën e komunizmit, shkrimtari ishte shpesh një figurë publike e lidhur ngushtë me ideologjinë shtetërore, një zë i regjur në shërbim të propagandës. Në periudhën e tranzicionit, shkrimtari është bërë më shumë një zë kritik, që sfidon narrativat e shoqërisë dhe trajton temat që dikur ishin tabu. Në krahasim me kohën e komunizmit, shkrimtarët tani kanë mundësinë të zgjedhin subjektet e tyre, të kritikojnë hapur qeveritë dhe institucionet dhe të eksplorojnë lirshëm ndjenjat dhe përvojat individuale. Ky kalim nga kontrolli shtetëror në liri krijuese ka nxitur një diversitet të ri në letërsi, duke hapur një epokë të re të eksperimentimit dhe risive.
Megjithatë, ashtu sikurse në fushat e tjera të shoqërisë, tranzicioni e përballi letërsinë shqiptare me sfida të reja dhe teksa pas rënies së regjimit monist vendi kaloi në ekonominë e tregut, ndikimi i letërsisë në ligjërimin publik filloi të zbehej. Globalizimi, i cili e hapi Shqipërinë me botën, ka sjellë efektet e veta pozitive dhe negative në letërsi. Nga njëra anë, shkrimtarët shqiptarë tani janë në gjendje të angazhohen me një komunitet letrar global, duke u ekspozuar ndaj ideve dhe formave të reja të shprehjes ndër vende të ndryshme të botës. Nga ana tjetër, rritja e mediave masive, mediave sociale dhe teknologjisë e ka zhvendosur vëmendjen e publikut nga letërsia tradicionale e, si rrjedhojë, shkrimtarët shqiptarë bashkëkohorë shpesh e kanë shumë më të vështirë se në të shkuarën që të arrijnë një audiencë të gjerë. Kësisoj, roli dikur qendror i letërsisë në formësimin e opinionit publik dhe identitetit kulturor është reduktuar.
Për më tepër, globalizimi ka çuar në dominimin e autorëve më të famshëm të letërsisë botërore, përkthimet e të cilëve shpeshherë i lënë në hije autorët vendas. Ndërsa shkrimtarët shqiptarë tani kanë mundësi më të mëdha për të botuar jashtë dhe për t’iu drejtuar një audience ndërkombëtare, konkurrenca për të patur vëmendjen e një publiku mediatik të globalizuar është e ashpër. Si rrjedhojë, shumë vepra letrare shqipe janë nën hijen e vëllimit të madh të përmbajtjes globale që disponohet sot. Pavarësisht shumëllojshmërisë në artikulimin e temave dhe stileve të ndryshme letrare, letërsia bashkëkohore shqiptare mbetet e fragmentuar. Ndërkohë që ka shumë shkrimtarë të rinj e të talentuar që kanë botuar disa libra, mungesa e një orientimi të qartë kulturor – tipar i përgjithshëm i kësaj periudhe edhe në vendet e tjera të Perëndimit – ose niveli thuajse i papërfillshëm i promovimit të tyre nga institucionet e kulturës në Shqipëri e ka bërë të vështirë që krijimtaria e autorëve vendas të njihet nga publiku.
Njësoj si në periudhën e Rilindjes Kombëtare, letërsinë e periudhës ndërmjet dy luftërave apo letërsinë e regjimit komunist, edhe letërsia bashkëkohore shqiptare sërish reflekton kontekstin aktual politiko-historik të shoqërisë shqiptare, ku shpërfaqen kriza e strukturave tradicionale të shoqërisë, emigracioni ose kriza e tranzicionit dhe pasigurive sociale. Paçka se në shumë aspekte ajo reflekton tensionet e shoqërisë së sotme, ndryshe nga letërsia e së shkuarës, tashmë nuk kemi të bëjmë me një letërsi që u flet vetëm shqiptarëve, por mëton t’i drejtohet një audience përtej kufijve që në periudhën tonë perceptohen si “ngushtësisht kombëtarë”. Si e tillë, letërsia bashkëkohore reflekton prirjet e përgjithshme të kontekstit global, ku narracionet letrare nuk u referohen më një lexuesi që është pjesë e të njëjtit realitet kulturor e shoqëror me shkrimtarin, por synon të jetë pjesë e një bashkësie më të gjerë lexuesish, ku fundja arti i letërsisë mund të shpërfaqet në universalitetin e vet më të plotë, pavarësisht gjuhës dhe kulturës, për të kapërcyer rrethanat e përveçme socio-kulturore ose doket letrare të komuniteteve të caktuara lokale.