TITAN Usje: Ndotja në Shkup nuk lidhet me veprimtarinë tonë

Kompania TITAN Usje ka reaguar me një komunikatë publike ndaj akuzave se është një nga shkaktarët e cilësisë së dobët të ajrit në Shkup, duke theksuar se e kupton plotësisht shqetësimin e opinionit publik, por se këto pretendime nuk bazohen në fakte, të dhëna shkencore dhe tregues të matshëm.
Nga kompania theksojnë se TITAN Usje operon në përputhje me teknikat më të mira të disponueshme në industrinë e çimentos dhe zbaton teknologji në të njëjtin nivel me kompanitë udhëheqëse në Bashkimin Evropian. Sipas tyre, të gjitha akuzat se veprimtaria e tyre kontribuon në ndotje janë të pabazuara dhe të pavërteta, ndërsa kompania, ashtu si edhe në të kaluarën, po përdoret si justifikim për një problem që ka shkaqe të tjera.
Siç theksohet në reagim, studime të pavarura shkencore vendore dhe ndërkombëtare tregojnë se cilësia e ajrit ambiental në Luginën e Shkupit kushtëzohet fuqishëm nga faktorë meteorologjikë, si inversimi i temperaturës, lagështia e lartë dhe qarkullimi i dobët i ajrit. Nga burimet antropogjene, sipas këtyre analizave, ndikim shumë më të madh kanë ngrohja e shtëpive dhe objekteve publike, trafiku, aktivitetet ndërtimore dhe djegia në hapësira të hapura, sesa prodhimi industrial.
Në komunikatë theksohet se puna e TITAN Usje është nën mbikëqyrje të vazhdueshme të Inspektoratit Shtetëror për Mjedisin Jetësor. Kontrolli i fundit i rregullt inspektues është kryer më 18 dhjetor 2025, kur edhe një herë u konstatua se nuk ka devijime nga kufijtë ligjorë të lejuar të emetimeve. Po ashtu, gjatë orëve të natës më 18 nëntor është realizuar edhe një kontroll i paparalajmëruar, gjatë të cilit u vërtetua se të gjitha vlerat e matura ishin brenda kufijve të lejuar.
Kompania rikujton se të dhënat nga matjet tregojnë qartë mungesë të çdo korrelacioni mes veprimtarisë së saj dhe ndotjes në qytet. Në muajt e dimrit, kur ndotja është më e lartë, fabrika kryen remontet vjetore të rregullta dhe furrat nuk funksionojnë, ndërsa gjatë verës, kur prodhimi është me kapacitet të plotë, cilësia e ajrit është dukshëm më e mirë. Njëkohësisht, ndotja gjatë kësaj periudhe është e lartë edhe në qytete të tjera të vendit ku nuk ka kapacitete industriale.
TITAN Usje posedon leje ekologjike të integruar të tipit A, të lëshuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, në bazë të së cilës është e obliguar të kryejë monitorim të vazhdueshëm 24-orësh të gazrave të emetuara. Matjet realizohen me sisteme të certifikuara nga prodhuesi gjerman SICK, të kalibruara rregullisht dhe të kontrolluara nga kompani të pavarura të autorizuara. Sipas kompanisë, të gjitha të dhënat tregojnë se vlerat kufitare të emetimeve nuk tejkalohen, ndërsa për disa parametra janë edhe shumëfish më të ulëta se kufijtë ligjorë.
Matjet shtesë kontrolluese, të realizuara nga laboratorë të pavarur, gjithashtu nuk kanë treguar devijime nga kufijtë e lejuar. Kompania thekson se disponon një sistem modern dhe shumë efikas filtrimi, me mijëra qese-filtra që mbajnë pluhurin dhe e rikthejnë atë në procesin e prodhimit. Pretendimet se filtrat çkyçen i vlerësojnë si plotësisht të pasakta, pasi ato janë pjesë përbërëse dhe e detyrueshme e linjës së prodhimit.
Nga TITAN Usje porosisin se do të vazhdojnë të punojnë në mënyrë transparente dhe në përputhje me normat ligjore, me hapje ndaj publikut. Siç theksojnë, të gjithë qytetarët dhe subjektet juridike të interesuara mund ta vizitojnë kompaninë dhe të informohen drejtpërdrejt për teknologjinë, proceset dhe masat e mbrojtjes së mjedisit që zbatohen.



