Tiranë: Deputetët e opozitës djegin karriget e tyre në oborrin e Kuvendit

Në Tiranë, Deputetët e Partisë Demokratike nxorrën jashtë sallës së Kuvendit karriget e tyre dhe u vunë zjarrin në shenjë proteste ndaj burgosjes së deputetit Ervin Salianji, dhe, siç u shprehën ata, ndaj shumë akteve të tjera arbitrare të shumicës ndaj opozitës dhe lirive demokratike në vend.

Në fillim të seancës, ata bllokuan foltoren e Kuvendit dhe hodhën sende të forta ndaj kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, teksa ajo njoftoi vakancën e krijuar me ndërprerjen e mandatit të deputetit Salianji, nënkryetar i grupit parlamentar të PD-së, pas dënimit të tij me 1 vit burg nga Gjykata e Apelit me vendim të formës së prerë.

Apeli la në fuqi, 4 ditë më parë, vendimin e gjykatës së shkallës së parë për dënimin e zotit Salianji për kallëzim të rremë për rastin e audio-përgjimit, ku pretendohej se vëllai i ish ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ishte përfshirë në një episod trafiku droge.

Hetimet e prokurorisë kishin zbuluar se biseda ishte inskenuar, dhe se rolin e vëllait të zotit Xhafaj, e kishte marrë përsipër një tjetër person.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, tha se për vakancën e krijuar mbi mandatin e zotit Salianji, do të njoftohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndërsa salla plenare nuk ka asnjë lidhje me vendimet e gjykatave.

Shumica socialiste i është përmbajtur qëndrimit se nuk komenton vendimet e gjykatave. Përfaqësues të saj i kanë hedhur poshtë akuzat për kapjen e drejtësisë, duke theksuar se çdo i pandehur mban vetë përgjegjësi para akuzave të ngritura nga drejtësia.

Opozita ka thirrur pas një jave përkrahësit e saj në një tubim para kryeministrisë, për të vazhduar protestën e saj.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button