TikTok ka 15 minuta kohë për të luftuar për “jetën”
15 minuta. Kjo është koha që do të ketë në dispozicion këtë të hënë TikTok për të bindur një gjykatë apeli në SHBA që të mos lejojë ndalimin e rrjetit social në këtë vend, ku numëron 170 milionë përdorues. Këto 15 minuta mund të jenë më domethënëset për ekzistencën e TikTok-ut në SHBA. Kompania po lufton për mbijetesën e saj përballë ligjit, të firmosur nga presidenti Joe Biden, masat e të cilit mund të nisin të zbatohen që në Janar. Ligji i firmosur nga Biden synon të ndalojë TikTok-un në pajisjet personale të amerikanëve. Opsioni tjetër është që kompania kineze mëmë ByteDance, t’ia shesë me shpejtësi TikTok-un dikujt tjetri, që mund t’i japë fund aplikacionit që njohim sot.
Teksa afati për një ndalim të mundshëm po afrohet, TikTok dhe ByteDance u janë drejtuar gjykatës duke kërkuar bllokimin e ligjit dhe deklarimin e tij si antikushtetues mbi bazat e Amendamentit të Parë. TikTok nuk do të ketë luksin e një gjyqi të plotë për të kundërshtuar vazhdimësinë e ekzistencës së tij në kushtet që ndodhet.
Kjo pasi ligji në fjalë kërkon që çdo betejë ligjore të anashkalojë gjykatën federale të rrethit dhe të shkojë direkt në Gjykatën e Apelit të Qarkut të Columbia, brenda një afati të shkurtër kohor. Një panel prej tre gjyqtarësh do të dëgjojë rastin dhe do të vendosë, me gjasë brenda disa javësh, nëse ligji është kushtetues ose jo. Këtë të hënë, kompania do të parashtrojë argumentet e saj. TikTok do të ketë vetëm pak minuta për të krijuar impakt. Por nuk do të jetë vetëm. Një grup i krijuesve të TikTok që po ashtu kanë paditur administratën e Biden do të futet më pas, për të parashtruar argumentet e tij për 10 minuta. Ndërsa administrata e Biden ka 25 minuta kohë për prezantimin e saj.
Siç shpjegon dhe CNN, TikTok dhe aleatët e saj do të përpiqen të shpjegojnë përse gjykata duhet të refuzojë ligjin dhe ta parandalojë që të futet në fuqi. Pala tjetër do të shpjegojë përse një ndalim i mundshëm i TikTok apo një shitje e detyruar e tij, është e vetmja mënyrë për të mbajtur të sigurt përdoruesit amerikanë.
Pyetja kyçe me të cilën përballet paneli i së hënës është: A është rreziku hipotetik i spiunimit kinez përmes TikTok-ut një kërcënim aq i madh për sigurinë kombëtare sa të justifikojë një ligj federal që mund të cenojë të drejtat kushtetuese të amerikanëve për lirinë e fjalës? Nuk është e qartë kur gjykata do të dalë me një vendim, nëse do ta bllokojë ose jo legjislacionin në fjalë. Por afati i përcaktuar nga ligji është data 19 Janar për TikTok-un, ndaj është e mundur që gjykata të thotë fjalën e saj përpara kësaj date.