Thirrje politikanëve në Prishtinë e Tiranë: Mos u mashtroni me trillimet e BDI-së!
Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi u ka bërë thirrje politikanëve në Shqipëri dhe Kosovë që të mos mashtrohen nga trillimet e BDI-së.
“Njëherë e mashtronin Hashim Thaçin e Edi Ramën se gjuha shqipe në Maqedoni të Veriut është zyrtarizuar. I bënë edhe ata të mburren se kanë merita, derisa e morën vesh se kishin qenë të lajthitur. Sepse gjuha shqipe në RMV nuk ishte zyrtarizuar dhe kishte mbetur gjuhë e pakicës (minoritetit).
Tash i mashtrojnë përsëri disa politikanë të tjerë në Tiranë e Prishtinë se “ajo gjuha që atëherë ata e kishin zyrtarizuar”, e që doli se nuk ishte zyrtarizuar, tash qenka e rrezikuar.
Dhe, për fat të keq, përsëri gjenden politikanë në Prishtinë e Tiranë që besojnë në ato trillime, ndërkohë që harrojnë se më të rrezikuar seç e kanë lënë ata shqipen si gjuhë të pakicës nuk ka si bëhet.
Natyrisht, për neve që jetojmë këtu e dimë se nënteksti i këtyre lotëve “për gjuhën” është pasioni për pushtet dhe frika nga drejtësia.
Koha e mashtruesve ka përfunduar”, ka shkruar Ibrahimi.