Thirrja për veprim: Zgjimi nga apatia kombëtare

Për ta arritur forcimin kombëtar, duhet shpresë, punë dhe, sigurisht, vendosja e projekteve të përbashkëta në tavolinë se si mund të duket e nesërmja pa miq dhe aleatë. Shqiptarët në Ballkan kanë nevojë për ide të arritjeve të mëdha me kufij të hapur, duke punuar sot për një të nesërme të panjohur. Dilema do të mbetet deri në ditët kur sirenat nga ajri do të tregojnë se ka ardhur koha. Dhe, natyrisht, a i kemi bërë të gjitha përgatitjet si komb.

Selim IBRAIMI, Uashington

Që nga kohët e lashta, për njerëzimin dhe burrështetasit ka qenë një dilemë e përhershme se si do të duket e ardhmja. Ajo që na intereson neve është e ardhmja e një shteti ose kombi, e cila gjithnjë nga udhëheqësit duhet të mendohet si e ndritur në aspektin e ekonomisë, kulturës, arsimit, mbrojtjes, teknologjisë së fundit etj. Në kontekstin e 100-vjeçarit të fundit, duke përfshirë edhe kohën pas vitit 1912 e deri më sot, pa lënë anësh luftërat që shpërthyen pas 1939-tës dhe pas shembjes së Murit të Berlinit, nga kjo perspektivë procesi i tretjes ekonomike dhe rritjes së varfërisë në Perëndim i ka lodhur kombet dhe shtetet që ndërmorën përpjekje të tilla për të shpërndarë vlera demokratike me ndikim edhe në hapësirën shqiptare.

Tani, tre vjet pas luftës mes Ukrainës dhe Rusisë, ngjarjet po zhvillohen në drejtime të panjohura si për BE-në, Ukrainën, ashtu edhe për të gjitha demokracitë e reja. Po këto demokraci, që u vunë në anën amerikane dhe të Ukrainës bashkë me shqiptarët, tash duken të shokuara nga rrotullimi 180 shkallë i politikës së jashtme amerikane. Në këtë tronditje bëjnë pjesë edhe shqiptarët që jetojnë në Ballkan, të cilët që nga viti 1991 e kanë vështruar BE-në, NATO-n dhe SHBA-në si udhërrëfyes dhe destinacion i fundit. Tani kur çështjet kanë ndryshuar, si do t’ia bëjnë shqiptarët në Ballkan? Në këtë kohë kur shkurtimet buxhetore amerikane kanë marrë një hov të madh dhe siguria kombëtare amerikane vjen e para, atëherë shtrohet pyetja se ku qëndron interesi parësor te shqiptarët në Ballkan? Në mungesë të politikave afatgjate të ndërtimit të një ekonomie prodhuese dhe ushtrie të fortë, në këtë vakum të madh global, që është duke u thelluar në vitin 2025, shqiptarët janë në një pozitë asnjanëse. Dhe, kjo po ndodh pavarësisht se Shqipëria është anëtare e NATO-s, dhe viset e tjera shqiptare pothuajse kanë orientime strategjike drejt BE-së. Përveç faktorëve që nuk janë nën kontrollin e shqiptarëve, disa çështje që sot janë pengesë për të parë më mirë, janë fajtorë vetë drejtuesit e shteteve shqiptare në Ballkan. Për shembull, Kosova dhe Shqipëria, edhe pas vitit 1991, zgjedhjeve të lira dhe kufijve të hapur, nuk janë në gjendje të bëjnë më shumë në ekonomi, kulturë dhe arsim, dhe nuk kanë një koordinim minimal në politikën e jashtme. Të paktën si dy qeveri nuk morën shembuj nga shtetet perëndimore. Dikur SHBA-ja dhe Britania e Madhe në vitin 1942 u pajtuan të “promovojnë marrëdhënie ekonomike me përfitim reciprok midis tyre dhe përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike në mbarë botën”. Një marrëveshje të tillë shumë lehtë kanë mundur ta nënshkruajnë dhe zbatojnë qeveritë shqiptare, por ja që nuk kanë pasur kohë. Shumë marrëveshje të nënshkruara kanë mbetur në zyrat e ministrive e asgjë më shumë si në Tiranë dhe në Prishtinë, e të mos themi gjë për ndonjë marrëveshje me Maqedoninë e Veriut ku jetojnë shqiptarë të diskriminuar. Në këto kushte ndërkombëtare, kur asgjë nuk është e sigurt, qeveritë shqiptare pothuajse janë jashtë qendrave ku vendosen fatet e popujve.

Mospajtimet mes aleatëve dhe shqiptarëve

Rast konkret është Ukraina, ku për territorin dhe sovranitetin po bisedojnë të tjerët. Si rast tjetër na paraqitet Polonia, një shtet që pas 1990-tës gjithë politikën e jashtme dhe të mbrojtjes e mbështeti në SHBA-në dhe tash, me presidencën e re amerikane, e gjitha është vënë në pikëpyetje. Shumë përfaqësues politikë të hapësirës sonë janë mbështetur nga të huajt, por politika e të fortëve është e çuditshme. Kemi këtu rastin e presidentit të Ukrainës Volodymir Zelenskyy, i cili nga një lider i madh e i admiruar nga bota në shkurt të 2022-tës, në fund po nga një president amerikan u cilësua si diktator. Andaj frika ekziston mos vallë shqiptarët i kanë varur shpresat në tërësi tek të huajt?

Duke e parë fatkeqësinë e popujve të tjerë, ku duhet të mbështeten shqiptarët në këtë shekull? Shqipëria dhe Kosova, në këtë kohë, duhet të jenë në anën e duhur të forcave përcaktuese, që mos t’u përsëriten politikat e pas Luftës së Dytë Botërore. Por, ajo që shohim sot në politikën shqiptare është makthi më i keq që mund t’u ndodhë shqiptarëve në rajon. Politikat individuale të shteteve e bëjnë të pamundur arritjen e ndonjë qëllimi afatgjatë. Dua të them se politika shqiptare, nga frika e kritikave ndërkombëtare, nuk po ndjek politika të interesit kombëtar me një përzierje patriotizmi modern për të ruajtur vlerat dhe për ta forcuar krenarinë kombëtare, ku mendimi, mbrojtja dhe rritja ekonomike do të ishin në qendër. Si shembull mund t’i marrin disa qeveri ose liderë nga rajoni. Dhe, për ironi pse krerët e partive shqiptare në Ballkan nuk e bëjnë një gjë të tillë?! Pse kanë frikë? Po në Gjermani, rezultatet e fundit treguan për përcaktimin e shumicës gjermane se pse e duan një Gjermani ndryshe. Të njëjtën gjë e gjejmë në Serbi, Mal të Zi dhe, pa hyrë në SHBA, ku siç dihet ardhja e Donald Trumpit në krye tashmë i ka ndryshuar çështjet ndërkombëtare. Qartë e shkurt, shqiptarët në mungesë të zbulimeve, të paktën që mund të bëjnë në këtë kohë është të marrin fillimisht mësime nga epoka e patriotizmit të madh të shekullit XIX dhe zhvillimve të viteve të 30-ta të shekullit XX.

Forcimi i ushtrive kombëtare

Me një qasje të re e të bashkuar në Ballkan, shqiptarët duhet ta arrijnë stabilitetin, ta pengojnë asimilimin dhe ta forcojnë mbrojtjen. Në kohën aktuale, si në Europë, ashtu edhe në Ballkan, mbijetesa është e vështirë. Po këtu, si politikëbërja me të huajt e si bashkëjetesa e forcuar në viset shqiptare me etnitë tjera, i ka bërë disa çështje të pakoordinueshme. Se sa gjatë do të mund udhëheqësit tanë të vazhdojnë ta injorojnë aktualitetin, kjo nuk dihet. Një fakt që dihet është se në rast të një konflikti në shkallë të gjerë, si Kosova, ashtu edhe Shqipëria, kanë pajisje minimale të mbrojtjes dhe sulmit. Nuk kanë ushtri të rregullta dhe pajisje për t’i mbrojtur kufijtë. Kosova dihet se ka disa kufizime, por Shqipëria ka mundësi, pavarësisht se është anëtare e NATO-s. Cila do të ishte përgjigjja e zakonshme në rast sulmi apo pushtimi të një territori shqiptar nga ushtri të huaja? Me siguri se udhëheqësit shqiptarë do të mendonin se NATO do t’i mbrojë. Në këtë kontekst jemi dëshmitarë se vetë BE-ja dhe NATO-ja janë në mes dy zjarreve, pasi SHBA-ja ka vendosur të kërkojë më shumë nga europianët ose, në të kundërtën, mbrojtjen nuk e kanë të sigurt. Në rast të një lufte rajonale, shqiptarët – në krahasim me serbët për shembull – janë më pak të gatshëm për të luftuar në një luftë konvencionale. Prandaj, një gjë është kryesore, se për ta arritur forcimin kombëtar, duhet shpresë, punë dhe sigurisht vendosja e projekteve të përbashkëta në tavolinë se si mund të duket e nesërmja pa miq dhe aleatë.

Shqiptarët në Ballkan kanë nevojë për ide të arritjeve të mëdha me kufij të hapur, duke punuar sot për një të nesërme të panjohur. A po e bëjnë këtë udhëheqësit shqiptarë në Kosovë, Shqipëri dhe në viset tjera?! Dilema do të mbetet deri në ditët kur sirenat nga ajri do të tregojnë se ka ardhur koha. Dhe, natyrisht, a i kemi bërë të gjitha përgatitjet si komb. Por, për të qenë të qartë, në gjendjen aktuale shqiptare do të jetë e vështirë të arrihen synimet strategjike afatgjata për shkak të fraksioneve politike dhe interesave të tjera. Nga ky këndvështrim, në dekadat e ardhshme, për shkak të rënies së popullsisë në trevat shqiptare dhe mungesës së lidershipit, statusi rajonal i shqiptarëve do të varet kryesisht nga jashtë dhe këtu, si komb, ky faktor mbetet një shqetësim i madh.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button