Tetova, nikoqire e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon!

Tetova ka qenë nikoqir i takimit të Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon, ku morën pjesë përfaqësues nga hapësira shqipfolëse e Ballkanit Perëndimor.
Kryetari i Tetovës, Bilall Kasamit tha se ky organizim dëshmon rritjen dhe konsolidimin e këtij unioni.
“Takimi mblodhi përfaqësues nga komunat anëtare të hapësirës shqipfolëse të Ballkanit Perëndimor, duke reflektuar rritjen dhe konsolidimin e Unionit, i cili sot përfaqëson një numër të konsiderueshëm qytetesh nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, si dhe komunat arbëreshe në Itali”, është shprehur Kasami.
Ai theksoi se gjatë punimeve janë trajtuar prioritetet për vitet në vijim dhe strategjitë zhvillimore.
“Në fokus të veçantë ishte rëndësia e forcimit të bashkëpunimit rajonal në fusha prioritare, si përafrimi i qyteteve të rajonit me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, rritja e kapaciteteve për tërheqjen e fondeve dhe implementimin e projekteve ndërkufitare të financuara nga BE, si dhe promovimi i trashëgimisë kulturore, zhvillimi i turizmit dhe zhvillimi i qëndrueshëm”, ka thënë Kasami.
Takimi u zhvillua në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Unionit, ku u diskutuan gjithashtu prioritetet për vitin 2026 dhe Strategjia afatmesme 2027–2028.



