Tetë ditë paraburgim për 55-vjeçarin që theu me gur xhamin e Ambasadës Bullgare

Prokuroria Publike Themelore Shkup ka nisur procedurë kundër një personi 55-vjeçar, nën dyshimin për veprën penale Dëmtim i sendeve të huaja, nga neni 243 paragrafi 2 i Kodit Penal.
Sipas pretendimeve të prokurorisë, i dyshuari më 11 janar, i nxitur nga urrejtja, me gur ka thyer xhamin e derës hyrëse të Ambasadës së Republikës së Bullgarisë në Shkup, pas së cilës është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Gjykatësi i procedurës paraprake e ka pranuar propozimin e prokurorit publik dhe i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej tetë ditësh. Ky vendim është marrë për shkak të ekzistencës së rrethanave që tregojnë rrezik nga arratisja, si dhe frikës së arsyeshme se personi mund ta përsërisë veprën penale.



