Të shtëna dhe zjarr në një tendë afër Parlamentit të Serbisë në Beograd

Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar të mërkurën, jashtë ndërtesës së parlamentit të Serbisë në Beograd.
Një person ka mbetur i plagosur, kanë raportuar mediat lokale.
Një video e postuar në median NOVA, vendndodhja e së cilës u konfirmua nga Reuters, tregonte oficerë të armatosur të sigurisë që i afroheshin një tende të madhe jashtë parlamentit.
Fillimisht ka pasur disa të shtëna dhe më pas ka shpërthyer një zjarr brenda tendës, një nga disa të ngritura këtë vit nga mbështetësit e presidentit, Aleksander Vuçiq, gjatë protestave antiqeveritare.
Nuk është e qartë se kush qëlloi me armë ose si filloi zjarri.
Një video tjetër e postuar në X tregonte një burrë të shtrirë në tokë me duart pas shpine dhe të rrethuar nga oficerë policie.