Të paktën 85 persona humbën jetën në SHBA për shkak të stuhisë së dëborës

Të paktën 85 persona kanë vdekur në Shtetet e Bashkuara, nga Teksasi në Nju Xhersi, si pasojë e stuhisë së dëborës dhe temperaturave të ulëta që ranë në 40 gradë nën zero, thanë zyrtarët amerikanë.
Gjysma e vdekjeve u raportuan në Tenesi, Misisipi dhe Luiziana, dhe ndërsa disa vdekje iu atribuan hipotermisë, të tjerat dyshohet se ishin të lidhura me ekspozimin ndaj monoksidit të karbonit nga burimet e nxehtësisë të përdorura në zonat pa energji elektrike, raportoi sot AP.
Më shumë se 230,000 shtëpi dhe biznese mbetën pa energji elektrike deri natën e kaluar, sipas të dhënave nga faqja e internetit Poweroutage.us që ndjek ndërprerjet, pasi stuhia dimërore përfshiu pjesë të mëdha të Shteteve të Bashkuara fundjavën e kaluar.
Numri më i madh i ndërprerjeve të energjisë elektrike vazhdoi të regjistrohet në Misisipi dhe Tenesi, me rreth 87,000 klientë pa energji elektrike në secilin prej këtyre shteteve.
Meteorologët parashikojnë që temperaturat nën zero do të zgjasin në lindje të SHBA-së deri në shkurt dhe se ka një probabilitet të lartë për reshje të dendura dëbore në Karolinën e Veriut dhe të Jugut, Virxhinia dhe Xhorxhian verilindore këtë fundjavë, me borë të mundshme edhe në pjesë të Karolinës së Veriut dhe përgjatë Bregut Lindor nga Merilendi në Maine.
Me një valë tjetër të ftohti të rrezikshëm që po lëviz drejt jugut të SHBA-së duke filluar nga sot, ekspertët paralajmërojnë se rreziku i hipotermisë po rritet për banorët në disa pjesë të Misisipit dhe Tenesit, ndërsa ata hyjnë në ditën e gjashtë pa energji elektrike në temperatura nën zero gradë.
Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA-së tha se ajri arktik që lëviz drejt juglindjes sot do të ulë temperaturat tashmë të ngrira në minus 10 gradë Celsius në qytete si Nashville, ku më shumë se 79,000 shtëpi dhe biznese mbeten pa energji elektrike, gati një javë pasi një stuhi masive solli borë dhe akull në të gjithë SHBA-në lindore.



