Të paktën 7 të vdekur dhe 69 të plagosur pasi një urë u shemb mbi një tren pasagjerësh në Rusi

Të paktën shtatë persona kanë humbur jetën dhe 69 të tjerë janë plagosur pasi një tren pasagjerësh doli nga shinat pas shembjes së një ure në Rusi, njoftuan zyrtarët. Ura ndodhej në rajonin Bryansk të Rusisë, që kufizohet me Ukrainën, sipas njoftimit të Hekurudhave Ruse.
Një pjesë e urës u shemb dhe ra mbi trenin që po kalonte në atë moment, raportoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS. Guvernatori i Bryanskut, Aleksandër Bogomaz, tha se në mesin e të plagosurve janë edhe dy fëmijë. Ai shkroi në Telegram se shërbimet e emergjencës ndodhen në vendngjarje.
“Po bëhet gjithçka e mundur për t’u ofruar ndihmë të nevojshme viktimave”, tha Bogomaz.
Kanali rus në Telegram “Baza”, i cili shpesh publikon informacione nga burime të shërbimeve të sigurisë dhe zbatimit të ligjit, raportoi – pa ofruar prova – se ura ishte hedhur në erë. Reuters nuk arriti ta verifikojë këtë në mënyrë të pavarur.
Që nga fillimi i sulmit rus ndaj Ukrainës tre vite më parë, ka pasur bombardime të vazhdueshme përtej kufirit, sulme me dronë dhe operacione të fshehta ukrainase në rajonet kufitare ruse Bryansk, Kursk dhe Belgorod.
Treni ishte duke udhëtuar nga qyteti Klimovo drejt Moskës, sipas Hekurudhave Ruse. Ai goditi urën e shembur në zonën Vygonichsky të rajonit Bryansk, bëri të ditur Bogomaz. Zona ndodhet rreth 100 kilometra nga kufiri me Ukrainën.