Të martën Qeveria do të vendosë nëse do të ketë masa të reja për çmimet e larta

Qeveria pritet të vendosë të martën nëse do të ndërmerren masa të reja kundër rritjes së çmimeve, pasi Ministria e Ekonomisë dhe Punës është në përpunim të raportit të dorëzuar nga Inspektorati Shtetëror i Tregut. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, të dhënat nga inspektimet janë duke u analizuar nga ekipi përkatës dhe pas përpunimit, do të shqyrtohen në mbledhjen e ardhshme. Në bazë të kësaj do të vendoset nëse do të ketë masa konkrete, si ulja e TVSH-së apo kufizimi i marzhës së fitimit për tregtarët.
“Gjatë kësaj periudhe, janë realizuar mbi 140 kontrolle, duke përfshirë më shumë se 800 pika shitjeje. Inspektimet kanë përfshirë prodhues, importues, distributorë, si dhe markete të mëdha dhe zinxhirë tregtarë lokalë. Kontrolli është përqendruar te çmimet e produkteve bazë ushqimore, artikujve të higjienës personale, mjeteve për pastrim, si dhe ushqimit për fëmijë e foshnja dhe produkteve të tjera për ta”, deklaruan nga Ministria e Ekonomisë.
Raporti është përgatitur me kërkesë të kryeministrit Hristijan Mickoski me qëllim për të treguar nëse dhe sa janë rritur çmimet në fillim të prillit krahasuar me muajin shkurt. Ndërkohë, zhvillimet globale, veçanërisht konflikti në Lindjen e Mesme, tashmë kanë ndikuar edhe në tregun vendor. Rritje më të theksuara janë shënuar te vezët dhe vaji ushqimor, por shtrenjtim ka pothuajse në të gjitha produktet, sidomos te frutat. Këto lëvizje kanë ndikuar edhe në inflacion, i cili sipas të dhënave të fundit nga institucionet përkatëse ka arritur rreth 5 për qind në muajin mars në krahasim me një vit më parë, ndërsa çmimet me pakicë janë rritur për 3.4 për qind.
Kryeministri ditë më parë paralajmëroi se pas analizës së raportit, Qeveria do të reagojë me masa konkrete. Aktualisht, në fuqi mbeten disa lehtësime, përfshirë uljen e TVSH-së për karburantet dhe harmonizimin e akcizave. Mickoski gjithashtu pret ulje të çmimeve të derivateve të naftës në vendimet e ardhshme të Komisionit Rregullator për Energjetikë. Nga ana tjetër, sindikatat dhe opozita kritikojnë vonesën e masave, duke vlerësuar se çmimet e larta kanë vazhduar për javë të tëra pa ndërhyrje të mjaftueshme./Alsat.mk.



