Të gjitha automjetet zyrtare do të marrin targa të posaçme
“Kur kemi hyrë në SHÇPP nuk kemi gjetur asgjë ndryshe nga institucionet e tjera. Prisnim një situatë kaotike, institucione të shkatërruara dhe prisnim punëtorë të demotivuar në SHÇPP. Kemi tre restorante në Qeveri, në Kuvend dhe në Klubin e deputetëve, ato restorante nuk kanë pasur ushqime bazë për të funksionuar normalisht në baza ditore dhe kontrata të dëmshme. Kemi gjetur restorante që nuk kanë pajisje fiskale”, tha drejtori i Shërbimit për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta në kuadër të Qeverisë dhe anëtar i KQ të VMRO-DPMNE-së, Ivica Tomovski.
Ai shtoi se që kur VMRO-DPMNE-ja është në pushtet, të ardhurat në SHÇPP janë rritur gati dhjetëfish.
“Nga 01.01.2024 deri më 01.07.2024, kur praktikisht është në pushtet LSDM, kanë bërë fitim prej 73 mijë denarë, aq kanë sjellë në llogarinë fiskale të SHÇPP-së dhe tani për më pak se katër muaj nga 01.07.2024. deri më 01.11.2024 kemi qarkullim prej 585 mijë denarë. Mund ta imagjinoni se çfarë ka ndodhur”, tha Tomovski dhe shtoi se nga gjithsej 120 vetura në pronësi të SHÇPP, vetëm 10 ishin funksionale.
“Ne si SHÇPP i shërbejmë të gjithë VIP-ave me 45 automjete, çdo tre vjet rinovohen me lizing operativ dhe kemi plus 120 automjete të tjera që janë në pronësi të SHÇPP. Kur morëm drejtimin e shërbimit 10 funksiononin dhe 110 automjetet e mbetura nuk ishin të servisuara fare, nga ato 110 ne kemi vënë të paktën 50% në funksion dhe për pjesën tjetër ka filluar procedura e shitjes sipas ligjit”, theksoi Tomovski i cili gjithashtu ka treguar se të gjitha veturat zyrtare do të pajisen me targa dhe më pas nuk do të ketë keqpërdorime të veturave zyrtare.
“Për këtë do të vendosim edhe linja telefonike ku mund të raportohet keqpërdorimi dhe do të veprojmë në përputhje me raportet”, deklaroi ai.
“Vendosëm të prezantojmë targa të veçanta me ngjyra, dhe regjistrimin ta bëjmë paralelisht gjatë gjithë vitit. E kemi miratuar rregulloren dhe tani është në pritje të nënshkrimit të ministrit të Brendshëm. Ato targa speciale janë rreth 6500 për të gjitha automjetet në territorin e gjithë Maqedonisë”, tha Tomovski.