Të arrestuarit nga Serbia nuk kanë qenë pjesë e UÇK-së, thotë dega e veteranëve në Rahovec

Dy personat e arrestuar në pikën kufitare në mes të Serbisë dhe Hungarisë-Horgosh nuk kanë qenë pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), tha kryetari i degës së veteranëve në Rahovec, Qemajl Krasniqi.
Sipas tij, personat në fjalë gjatë luftës kanë qenë në Gjermani.
Ai konfirmoi se është në dijeni për rastin dhe se gjatë ditës ka qenë në komunikim me familjarët e tyre.
“Konfirmojmë në degën e veteranëve të Rahovecit se personat e arrestuar nuk janë në listën e veteranëve. Sipas konfirmimeve që kemi nga familjarët ata nuk kanë qenë në Kosovë, gjatë luftës kanë qëndruar në Gjermani dhe nuk kanë të bëjnë asgjë me luftën. Por, ne konsiderojmë se është në taktikat e njohura tashmë të Serbisë për të shkaktuar drama, tragjedi, fatkeqësi tek populli shqiptar dhe për të bërë një luftë speciale kundër Kosovës, në këtë rast duke pësuar qytetarët e pafajshëm të Kosovës. Ne ndjejmë keqardhje për ata njerëz atje, pavarësisht që nuk kanë qenë pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Krasniqi për KosovaPress.
Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ka thënë se personat me inicialet X.E dhe B.E “dyshohen për krime lufte në Kosovë”, më 1999. Megjithatë, në këtë njoftim nuk përmendet nacionaliteti i tyre. Serbia pretendon se këta persona më 1999, e kanë kidnapuar një serb me inicialet J.M në Rahovec.
Lidhur me këtë rast ende nuk ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje, disa herë, qytetarëve që të shmangen udhëtimet dhe kalimet tranzite përmes territorit të Serbisë për shkak të rrezikut të shtuar për ndalime dhe arrestime arbitrare nga autoritetet serbe.