Taravari për lajmin se ka takuar Ahmetin, është i rremë unë vazhdoj me ekipin tim deri në fund

Kandidati i koalicionit VLEN për president të shtetit Arben Taravari ka reaguar ndaj një lajmi të Top Channel se ai pas rezultatit të rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale është takuar fshehurazi me Ali Ahmetin dhe ka marrë ofertë për të kaluar në taborin kundërshtar. Ka siguruar se lajmi është i rremë dhe se edhe po të merrte vërtetë ofertë nga kampi i Frontit Evropian, ai nuk do ta pranonte pasi do të vazhdojë betejën për fitore të VLEN në zgjedhjet parlamentare, raporton Alfax.
“Me keqardhje mësova sot nga një media tepër serioze e Shqipërisë si është Top Channel se unë qënkam takuar mbrëmë me z.Ahmeti dhe funksionarë të tjerë të BDI-së, për të dëgjuar ofertë nga z.Ahmeti. Jo, nuk është e vërtetë. Kushdo që e ka çuar këtë lajm në Top Channel gënjen. Unë mbrëmë u urova me ekipin tim dhe të qetë sot vazhdojmë punën tonë Drejt Ndryshimit! Me ofertat e Ahmetit unë jam mësuar dhe mendoj se nuk do të ishte habi të më vinte një e tillë, por ky lajm është i rremë”, ka shkruar Taravari. Alfax.



