Taravari nuk i përjashton listat e përbashkëta me FE-në! VLEN dhe VMRO do të bashkëpunojnë në zgjedhjet lokale

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, koalicionin VLEN e braktisi për shkak idesë që në zgjedhje komunale të dalin me lista të veçanta për këshilltar. Tani derisa po negocion me FE, thotë se grupet e punës do të vendosin nëse do të dalin me lista të përbashkëta apo të veçanta.
“Do të ketë grupe pune të cilat do të vazhdojnë të koordinohen edhe ta shohim a dalim me lista të përbashkëta apo të veçanta. Në parim unë si kryetar kam qenë që të dalim me lista të veçanta, por e shoh tash edhe prej anëtarësisë tonë dhe kryesisë ka disponim, eventualisht në qoftë se mund të gjendet një gjuhë e përbashkët për të dale me lista të përbashkëta, por për këtë duhet të vendos kryesia dhe kuvendi i parties”, tha Arben Taravari – ASH.
Nga kjo Taravari le të kuptohet se bashkëpunimi me Frontin Europian tashmë është i sigurt.
Nga ana tjetër VLEN tashmë e ka bërë të qartë se në zgjedhjet lokale partnerët e koalicionit qeverisës do të bashkëpunojnë aty ku kanë nevojë. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe Mickoski.
“Si koalicion Qeveritar, ashtu si ka qenë në të kaluarën do të ketë bashkëpunim në drejtim të përkrahjes aty ku njëri kandidat i partnerëve të koalicioni do të shkoj në raundin e dytë apo balotazh. Sa i përket fazës së parë, ne do të shkojmë në të gjitha komunat ku ka gjasa kandidati shqiptar të garojë për kryetar komune”, shtoi Bilall Kasami – VLEN
“Në lidhje me koalicionin VLEN, gjithashtu pres që nga raundi i parë në komuna të caktuara të mbështesim kandidatët e këtij koalicioni”, tha Hristijan Mickoski, kryetar I VMRO-DPMNE-së.
Nëse VMRO DPMNE do t’i mbështesë kandidatët e VLEN-nit që në raundin e parë, atëherë ata nuk do të kenë kandidat nëpër komunat me shumicë shqiptare.
Edhe LSDM tashmë e ka bërë të ditur se në komuna me shumicë shqiptare nuk do të garojnë.