Taravari: Ka disa muaj që Sela është shumë afër BDI-së

Zëri i Amerikës: Zoti Taravari, dy kongrese të Aleancës për Shqiptarët me vetëm disa ditë. Ju e keni shkarkuar zotin Ziadin Sela, e ai ju ka shkarkuar nga pozita e kryetarit të partisë. Kush e drejton aktualisht Aleancën për Shqiptarët?

Arben Taravari: Normalisht, sa herë që ka fraksione në parti, secili thirret në disa argumente të veta nga të cilat e kupton se ka të drejtë. Megjithatë, në përgjithësi, të gjitha faktet dhe argumentet janë në anën tonë. Të njëjtën gjë, po t’i pyesësh ata, do të thonë (edhe ata), ndaj e lëmë gjykatën të vendosë. Ne do t’i pranonim të gjitha vendimet e gjykatës sepse jemi të sigurt se si në Kryesinë Qendrore ashtu edhe në Kuvendin Qendror dhe në mesin e anëtarëve të Kongresit kemi shumicën.

Zëri i Amerikës: Kanë filluar procedurat ligjore?

Arben Taravari: Me shumë mundësi do të fillojë. Ne i kemi dorëzuar të gjitha dokumentacion qysh të hënën. Ata patën edhe pak vështirësi në mbledhjen e firmave për të vërtetuar se ata kanë dy të tretat, ata kanë nevojë për dy të tretat dhe neve na duhet vetëm gjysma. Kemi më shumë se gjysmën, më shumë se pesëdhjetë për qind të delegatëve, nga anëtarët e Kryesisë Qendrore. Ata kanë nevojë për dy të tretat – gjë që është e pamundur. Është një fraksion në Aleancën për Shqiptarët që ka disa muaj që është shumë afër BDI-së, por, megjithatë, është qëndrimi i tyre legjitim që unë e respektoj.

Zëri i Amerikës: Zoti Taravari, ka pasur shumë spekulime për një marrëveshje të supozuar mes jush me zotin Sela për të ndarë pasuritë dhe pushtetet në parti. Na tregoni më shumë për këtë.

Arben Taravari: Jo, ka pasur një takim më shumë se dy javë më parë ku jemi parë dhe jemi përpjekur edhe një herë të shohim nëse mundemi, le të themi, të hekurosim dallimet. Kemi dy zyre (dhe) që të mos ketë konflikt, të mos ketë keqkuptime, kemi vendosur që ata ta përdorin zyrën në Shkup, dhe ne ta përdorim në Tetovë si seli zyrtare të partisë. Mirëpo, partia nuk ka asnjë pronë – këto janë dy zyra me qira që ne i paguajmë dhe nuk kemi çfarë të ndajmë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button