Takimi Zelensky-Putin-Trump i propozuar në Gjenevë, reagon zyrtarisht Zvicra

Ministri i Jashtëm zviceran, Ignazio Cassis, mirëpret propozimin e presidentit francez Emmanuel Macron që takimi të zhvillohet në Gjenevë dhe shprehet mirënjohës për besimin që i është dhënë Zvicrës.
Megjithatë, ekzistojnë disa çështje ligjore lidhur me mbajtjen e një takimi të tillë.
Zvicra ka ratifikuar Traktatin e Romës që themelon Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe meqë presidenti rus Vladimir Putin është tashmë i akuzuar nga kjo gjykatë për krime lufte, ligjërisht Zvicra do të ishte e detyruar ta arrestonte nëse ai do të hynte në territorin e saj.
Por qeveria zvicerane, duke parashikuar mundësinë që Gjeneva të shërbejë si vendtakimi, ka angazhuar tashmë ekspertët ligjorë për të shqyrtuar pasojat, dhe sot ministri Cassis tha për mediat zvicerane se ka hapësirë për fleksibilitet.
“Ne mund ta realizojmë këtë takim pavarësisht urdhër-arrestit ndaj Putinit, për shkak të rolit tonë të veçantë dhe rolit të Gjenevës si seli evropiane e Kombeve të Bashkuara”, u shpreh ai.