Takimi Siljanovska-Davkova-Pellegrini: Sllovakia, një nga mbështetëset më besnike të integrimit evropian

Presidenti i Sllovakisë, Peter Pellegrini ndodhet sot për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku u takua me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova, raporton Anadolu.

Presidenti sllovak u prit me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake, e më pas u zhvillua një takim kokë më kokë me presidenten Siljanovska-Davkova dhe një takim plenar i të dy delegacioneve.

Gjatë vizitës, ministrat e Punëve të Jashtme dhe të Ekonomisë të të dy vendeve, Timço Mucunski dhe Vladimir Shimonjak, nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, i cili pritet të hapë mundësi të reja për investime dhe partneritete biznesi.

Pas nënshkrimit pasoi konferencë e përbashkët për mediat nga të dy presidentët.

“Sllovakia është një nga mbështetëset tona më besnike dhe të përkushtuara afatgjata të integrimit evropian, me një angazhim të qartë si kristali ndaj nevojës për zgjerim të BE-së”, deklaroi presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova në konferencën me homologun e saj sllovak Peter Pellegrini.

Ajo tha se Sllovakia e bën këtë jo vetëm brenda kornizës së Grupit të Vishegradit, por edhe përmes pjesëmarrjes së saj aktive në grupin e Miqve të Ballkanit Perëndimor dhe me takimin e sotëm.

“Ne të dy ndajmë mendimin se zgjerimi duhet të bazohet në kriteret e Kopenhagës, nga të cilat nuk duhet të ikim. Kjo do të thotë se duhet të bazohet në meritë dhe në rezultate, dhe jo të varet nga kushte të tjera politike irracionale që në një farë mënyre e uzurpojnë procesin e integrimit evropian”, tha Siljanovska-Davkova.

Presidentja Siljanovska-Davkova tha se politika e jashtme dhe e sigurisë e Maqedonisë së Veriut, është e njohur nga të gjithë anëtarët e BE-së dhe të gjitha institucionet dhe zyrtarët e tyre në BE dhe është plotësisht në përputhje me atë të BE-së.

“Ne vazhdojmë të kontribuojmë në mënyrë aktive në sigurinë kolektive dhe rajonale sepse ajo siguri është edhe siguria jonë”, tha Siljanovska-Davkova. Ajo theksoi se nevojitet një bashkëpunim më i madh, besim i ndërsjellë dhe solidaritet, jo vetëm brenda BE-së dhe NATO-s, por edhe brenda Kombeve të Bashkuara.

Takimi i sotëm, siç tha ajo, është një konfirmim se ekzistojnë marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale midis Maqedonisë së Veriut dhe Sllovakisë, si shprehje e vullnetit dhe vendosmërisë së ndërsjellë për t’i thelluar ato në të ardhmen.

“Marrëdhëniet politike vlerësoheshin dhe vlerësohen sot si jashtëzakonisht të mira. Dëshiroj bashkëpunim më të mirë ekonomik, por për këtë qëllim e përshëndes nënshkrimin e Memorandumit për Bashkëpunim Ekonomik dhe pres që ai të hapë mundësi të reja për projekte, investime dhe partneritete biznesi”, tha Siljanovska-Davkova.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button